Përbërësit e recetës janë shumë të thjeshtë, miell misri e gruri, sheqer dhe ujë. Por, receta ka një sekret dhe ajo është përvoja.

“Boza përdoret në shumë shtete, si Bullgaria, Maqedonia, Turqia e secila prej tyre ka recetën e vet. Për shembull, boza në Bullgari ka një ngjyrë në kafe, pasi bëhet me mbetjet e elbit, ose me koret e bukës. Ndërkohë, receta që përdorim ne është e gjitha shqiptare. Boza jonë ka katër përbërës kryesorë: miell misri e gruri, të cilin e marrim nga banorët vendas, sheqer dhe ujë.

Edhe pse ngjan e lehtë për t’u përgatitur, boza kërkon kohën e vet dhe nuk mund të bëhet nga të gjithë. Duhen më shumë se gjashtë orë për t’u bërë boza, në fillimi përzihet misri, pastaj shtrydhet. Qulli që del, duhet të lihet për pak kohë e më pas të përzihet me ujin e sheqerin. Pastaj, mbushet në shishet 0.5 dhe 1.5 litërshe. I gjithë sekreti i recetës, qëndron te përvoja. Receta nuk ka ndryshuar që nga viti 1980. Boza nuk prishet, me kalimin e kohës ajo fermentohet dhe shija e saj nuk është më e ëmbël.”

Vlerat ushqyese të bozës janë shumë të mëdha, kjo pasi përmban vitamina A, C, E, dhe katër lloje vitaminash B.

“Në Kukës, kryesisht e preferojnë të thartë bozën, kurse këtu në Tiranë e duan të ëmbël. Fermentimi i misrit është i mirë, pasi lëshohen enzima që ndihmojnë tretjen, organizmin. Duke konsumuar bozën, përthithen vitaminat e proteinat që ka misri. Gjithashtu bën normalizimin e tensionit të gjakut. Boza është shumë e mirë edhe për nënat lehona, pasi rrit prodhimin e qumshtit tek nënat që kanë fëmijë në gji. Rekomandohet shumë edhe për atletët, si një pije që jep energji,” tregon Edvini.

Më së shumti njerëzit e konsumojnë bozën gjatë muajve të verës, për tu freskuar. Por, siç thotë edhe Edvini, boza mund të konsumohet gjatë gjithë vitit. Sipas tij, janë të të rinjtë të cilën nuk e dinë fare se çfarë është boza.

“Pikat kryesore të shpërndarjes i kemi në dyqane e supermarkete, jo në bare, sepse janë të pakta baret që e shërbejnë bozën. Kjo sepse shqiptarët janë më të prirur të konsumojnë produkte të huaja dhe jo ato vendase. Por, ka edhe nga ata të rinj, të cilët nuk e njohin fare se çfarë është boza.

Por, më e rënda është kur vijnë inspektorë ushqimorë e na thonë se më çfarë qumështi e prodhojmë. Është qesharake, por kjo tregon sesa rëndësi i jep shteti promovimit të pijeve vendore. Ato janë lënë në hije e qeveritë përqendrohen më tepër te eksporti.

Receta jonë e bozës, që është jo vetëm një recetë 100% shqiptare, por edhe e pranuar nga të gjithë, si receta e unifikuar e bozës, nuk është e patentuar. Ne personalisht nuk e bëjmë dot, pasi kushton shumë,”- thotë me keqardhje djali i mjeshtrit të bozës.

Nga: Dritare.net