Site icon PORTALB

Zeka: PAN-i nuk merr pjesë në seancë, Rugova dhe Tahiri janë kërcënuar

Kuvendi i Kosovës, ilustrim

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.

Duke mos dhënë arsye përse PAN-i nuk merr pjesë në vazhdim të seancës, ka thënë se për vete nuk do të marrë pjesë “në shenjë proteste për shkak të kërcënimit që i është bërë deputetes Teuta Rugova”, transmeton Koha.net.

Zeka e ka vlerësuar si kërcënim dhe shantazhim postimin e deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli, që në Facebook kishte thënë se “Teuta Rugova e ka bërë të skuqet nga turpi” pasi votoi njëjtë si PAN-i pro shtyrjes së seancës konstituive.

“Ky është shantazh, është kërcënim, është turp. I njëjti kërcënim ka shkuar edhe në adresën e Labinot Tahirit që po ashtu është quajtur tradhtar. Askush nuk më tha mua tradhtar që si deputet të Nismës e votova komisionin, ndërsa Nisma jo”, ka thënë ai.

Seanca konstituive pritet të nisë në orën 15:00, ndërsa brenda në sallë janë deputetët e Vetëvendosjes dhe LAA-së, por jo ata të PAN-it.

Exit mobile version