Site icon PORTALB

Konfirmohet dënimi nga Gjykata e Apelit, 53 vjet burg për 7 fajdexhinj (VIDEO)

Foto nga arrestimi i njërit prej të akuzuarve të aksionit "Çekani"

Foto nga arrestimi i njërit prej të akuzuarve të aksionit "Çekani" - 11.12.2014

Me vendim fuqiplotë të Gjykatës së Apelit të Shkupit dhe dënime efektive me burg është mbaruar lënda e njohur në opinion si “Çekani”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njofton Portalb.mk.

Në lëndën që e ka udhëhur Prokuroria, me burg janë dënuar për kryerjen e veprave penale kamatë dhe vjedhje.

“Personave të dënuar u është konfiskuar pasuria nga e cila të dëmtuarit kanë të drejtë për kompensim të dëmit. Në lëndën “Çekani” u përfshi një grup kriminel i cili ka vepruar në kontinuitet duke filluar që nga viti 2008, kryesisht në territorin e Komunës së Gostivarit. Motivi kryesor ka qenë përfitimi i pronës në mënyrë të paligjshme dhe kryerja e disa veprave penale”, thonë nga Prokuroria.

Sipas tyre, të dënuarit në periudhë të gjatë kohore janë marrë me dhënie të parave me kamatë. Pastaj, duke e shfrytëzuar gjendjen e tyre të rëndë, ata u kanë marrë pronë me vlerë më të lartë. Për kthimin e borxhit, ata kanë kryer trysni, duke shfrytëzuar kërcënime serioze për sulme fizike ndaj të dëmtuarve.

Ndryshe vendimi i shkallës së parë është sjellë përpara një vitit, ku shtatë të akuzuarit u dënuan me gjithsej 53 vjet burg dhe një person u lirua.

Në këtë grup kanë qenë të ndjekur penalisht 21 persona, nga të cilët Prokuroria me tre prej tyre kanë arritur marrëveshje për pranim të fajit gjatë hetimit. Me një person është arritur marrëveshje për pranim të fajit gjatë aktakuzës, transmeton Portalb.mk.

Për tre persona lënda është transferuar në Prokurorinë Themelore – Gostivar, ndërkaq për pesë të tjerë është sjellë vendim për ndalin të hetimit.

11 dhjetor 2014 – Arrestohet grupi i Fadil Arsllanit, që përfitoi mbi 2 milionë euro nga borxhet me fajde

Pasurinë e përfituar, ata më pas e kanë legalizuar me ndihmën e avokatëve dhe përmbaruesit, duke shfrytëzuar për këtë qëllim ndërmarrjet e tyre por dhe llogaritë bankare.

Të dyshuarit, me mjetet e përfituara në mënyrë të kundërligjshme, kanë blerë patundshmëri dhe makina, si dhe kanë vazhduar të japin borxh me fajde me normë interesi prej 8 deri 20 përqind. Policia ka siguruar prova se grupi kriminal i cili kaleshuar në qarkullim legal në banka rreth 2.125.000 euro dhe 54 mijë dollarë amerikanë.

Më poshtë mund ta shihni videon zyrtare të MPB-së të aksionit “Çekani”. /Portalb

 

Exit mobile version