Site icon PORTALB

Rritet numri i aborteve te të miturat

Abort spontan

Ilustrim

Nga Klinika e gjinekologjisë thonë se as ligji i ri për abortin që parashikon këshillim treditor, nuk ndihmon në uljen e numrit që shënon rritje. Në këtë Klinikë në vitin 2012 kanë abortuar 270 gra. Prej tyre dy kanë qenë të mitura, ndërsa në vitin 2013 kanë abortuar 334 prej të cilave 9 kanë qenë të mitura. Mjekët paralajmërojnë për komplikime të mundshme ndaj shëndetit reproduktiv për shkak të ndërprerjes së shtatzënisë. 

“Mund të paraqiten komplikime të hershme si gjakderdhje, lëndim të mitrës gjatë intervenimit dhe komplikime të mëvonshme, si infeksione që më vonë mund të shkaktojnë probleme me shtazanin”, tha për Alsat M Jadranka Georgievska, Klinika e Gjinekologjisë.
Nga ana tjetër, sociologët paralajmërojnë edhe për rreziqe tjera.

 “…E para, bëhet fjalë për të mitura që do të thotë se karakteri i tyre nuk është formuar sa duhet, diskursi i tyre moral dhe vlerat e tyre nuk janë të qëndrueshëm sa duhet në kuadër të personalitetit të tyre, e kjo do të thotë që në jetën e mëtejshme do të paraqiten probleme të caktuara”, deklaroi Prof. Dr. Tatijana Stojanovska-Ivanova, Instituti i sociologjisë-Fakulteti filozofik.

Nga Organizatat joqeveritare rikujtojnë se propozimi i tyre për vendosjen e edukatës seksuale nëpër shkolla u refuzua nga Ministria e arsimit. 

“Të rinjtë fillojnë me marrëdhënie seksuale në moshë 14-15 vjeçare. Është shumë e rëndësishme që ata nga ai moment t’i kenë këto informata…”, tha Drashko kostovski, OJQ- Hera.

Të dhënat nga HERA thonë se në Holandë ku edukata seksuale është si lëndë e rregullt në shkollë, shkalla e shtatzënisë tek të miturat është 7.1 në 1 mijë vajza. Në Britani ku edukata e këtillë nuk është e obligueshme, kjo shkallë është 27.8, ndërsa në Bullgari ku nuk ka kurrfarë edukate seksuale kjo shkallë është 39.

Exit mobile version