Site icon PORTALB

Nëse nuk ka rizgjedhje të gjykatësve, drejtësinë do ta ndajnë të zgjedhurit nga “defteri” i Jankulloskës

VMRO-DPMNE

Derisa Qeveria e re tani është në mes të 100 ditshit të parë apo ka filluar ta realizojë planin “3-6-9”, në të gjitha fushat e veçmas në gjyqësi, deklarata e djeshme e zv/kryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, se “absolutisht është i gabuar interpretimi se Qeveria ose shumica e re parlamentare do të bëjë rizgjedhje të gjykatësve” na bën të rikujtohemi në “bombat” e LSDM-së, ku dëgjohej qartë se si janë zgjedhur gjykatësit e deritanishëm, njofton Portalb.mk.

“Një nga masat e cila është parashikuar në planin “3-6-9” është anulimi i ligjit për verifikimin e fakteve për disiplinimin e gjykatësve sepse atë e konsiderojmë si mënyrë ose instrument për presion, po rritja e rolit të Këshillit Gjyqësor në këtë pjesë, kështu që nuk do të ketë rizgjedhje gjenerale të gjykatësve, por vendosje të sistemit me qëllim për zgjedhje kualitative të gjykatësve të cilit do të jenë të pavarur dhe të paanshëm në funksionin e tyre”, ka thënë Osmani në intervistë.

Në njërën “bombë” të LSDM-së, që e publikoi lideri i partisë, Zoran Zaev, mundej të dëgjohej në një bisedë telefonike ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, duke biseduar për numrin e gjykatësve që Jankulloska i ka në “defterin” e saj.

Në këtë bisedë, dëgjohet se si Jankulloska i ka të evidentuar të gjithë gjykatësit, madje asnjë gjykatës nuk mundet të futet në pallatin e Gjykatës Themelore Shkupi 1, pa tejkaluar në mbikëqyrjen dhe ekspertizën e Jankulloskës dhe Mijallkovit.

Se sa janë të anshëm, gjykatësit e Gjykatës Themelore, është ka treguar edhe raporti i Komisionit Evropian, por edhe vet në vendimet e tyre për mos-shqiptimin e masave të cilat i kërkon Prokuroria Speciale për funksionarët e lartë të VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.

Bisedë telefonike Gordana Jankulloska – Sasho Mijallkov

Gjykatësja “Swarovski”

Nga “bombat” doli edhe një bisedë telefonike për gjykatësen Petrovska në opinion e njohur si gjykatësja “Swarovski” sepse sipas bisedave, për avancimin e saj i ka blerë stoli kryetares së Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.

Ja biseda ku u përmend gjykatësja Petrovska nga kolegia e saj Sofija Laliçiq e cila ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov i shpjegonte se si Petrovska i ka dhënë stoli prej “Swarovski” kryetarës së Gjykatës Penale, Nedellkovës.

Pavarësisht deklaratës së Osmanit, Ministria e Drejtësisë, me vendim të ministrit, Bilen Sali e ka formuar “Këshillin për reforma në sektorin gjyqësor”, në të cilën janë të përfshirë, gjykatës, prokurorë, profesorë universitar, ekspertë të fushës juridike. Të kontaktuar nga Portalb, nga Ministria e konfirmojnë lajmin dhe thonë se trupi do të ketë për detyrë që të implementohen reformat në gjyqësor.

Sa do të implementohen ngelet të shohim, por derisa të ketë rizgjedhje të gjykatësve, të zgjedhurit nga “defteri” i Jankulloskës ende po e ndajnë drejtësinë për dyshimet për krime të rënda. /Portalb

Exit mobile version