Tenisti shqiptar nga Shkupi, Besir Durguti ka vazhduar me paraqitje të mira në turnet evropiane të tenisit (Future). Së fundmi Durguti po qëndron në Wels të Austrisë, ku është pjesë e turneut Futures që kap vlerën e 15 mijë dollarëve.
Në këtë turne, tani më Besiri ka kaluar dy raundet, duke shënuar dy fitore, fillimisht e kishte fituar boshnjakun Ivan Dandjeloviq me rezultat 6-1, 6-2, ndërsa në raundin e dytë ishte më i mirë se bartësi i 13-të i turneut, italiani Paolo Dagnio, të cilin e fitoi me rezultat 7-6, 7-6.
“Pas një konsultimi që kisha me trajnerët e mi Gilbert Schaller (i cili ka qenë i 17 në ATP listë) dhe Martin Spottl ( i radhitur në pozitën e 181 në ATP), vendosëm që të marr pjesë në këtë turnir, duke e parë që jamë në një formë shumë të mirë. Bëhet fjalë për një turnir të fortë, e që shpresoj të mbetem sa më gjatë në këtë garë”, është shprehur për PORTALB.mk, Besir Durguti i cili që nga janari i këtij viti është duke qëndruar në Austri.
Meçin e radhës tenisti shqiptar e luan nesër, e ku kundërshtarë e ka tenistin austriak, Gabriel Schmidt. /Portalb.mk/