Site icon PORTALB

Meta: Turqia, partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë

Meta zhvilloi takime dypalëshe me homologun Turk

Meta zhvilloi takime dypalëshe me homologun Turk

Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi takime dypalëshe me homologun Turk Cemil Çiçek, atë malazez Ranko Krivokapic dhe Kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë Mihail Mikov.

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Turqisë Cemil Cicek, Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë reflektojnë jo vetëm një nivel të shkëlqyer bashkëpunimi strategjik, por edhe një karakter vëllazëror mes dy popujve.

Meta dhe Cicek ranë dakord për intensifikimin konkret të marrëdhënieve ndërparlamentare përmes grupeve reciproke të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në të gjithë sektorët. Meta e vlerësoi Turqinë si një partner të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë dhe në këtë drejtim ndau bindjen me kolegun Cicek se vizita e pritshme e Kryeministrit Erdogan në Tiranë, do t’i japë një shtysë bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh mes dy vendeve.

Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapic, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në rajon me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik e rajonal mes dy vendeve fqinje. Duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit te Zi si të shkëlqyera, Meta shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ndau bindjen me Krivokapic se procesi i integrimit europian është një rrugëtim i vlefshëm dhe i nevojshëm për avancimin shoqëror, demokratik dhe ekonomik të vendeve të rajonit tonë. Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve, Krivokapic e ftoi Meta për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Bullgarise Mihail Mikov, z. Meta i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si shumë të mira dhe si tepër të rëndësishme në kuadër të forcimit të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit. Në këtë kuadër u nda bindja se të dy vendet duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre në funksion të shkëmbimeve tregtare, forcimit të lidhjeve infrastrukturore dhe bashkëpunimit në nivel rajonal.

Meta dhe Mikov ranë dakord për rritjen e shkëmbimeve ndërparlamentare në nivel Kryetarësh, Grupeve të Miqësisë dhe Komisioneve Parlamentare, duke vlerësuar mbështetjen dhe ekspertizën bullgare në funksion të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë gjithë takimeve dypalëshe, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mirëpriti angazhimin e Malit të Zi, Turqisë dhe Bullgarisë në mbështetje të Presidencës shqiptare të Asamblesë Parlamentare të SEECP, duke theksuar se bashkëpunimi konkret mes vendeve anëtare të SEECP forcon jo vetëm integrimin rajonal, por edhe dimensionin e perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian./ Shekulli

Exit mobile version