Site icon PORTALB

Besnik Hasi ‘prek’ titullin me Anderlecht

Besnik Hasi

Besnik Hasi

Përpara se ai të emërohej trajner i parë i ekipit, shanset e Anderlechtit për të fituar titullin kampion në Belgjikë ishin pothuasje zero por me Besnik Hasin në drejtim skuadra nga Brukseli jo vetëm që u rikthye në luftën për titullin por tashmë e sheh veten në krye të klasifikimit kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje nga përfundimi i fazës Play-Off.

Pas suksesit në transfertë ndaj Club Brugge javën e kaluar, Anderlecht arriti një tjetër fitore të rëndësishme pasi shkatërroi në shtëpinë e saj me rezultatin 4-0 skuadrën e Genk. Edhe pse në këtë sfidë Anderlechti i Hasit nuk kishte në dispozicion sulmuesin kryesor serbin Aleksandar Mitrovic për shkak skualifikimi, skuadra më e titulluar në vend nuk e pati aspak të vështirë për të hedhur Knock-out Genk, transmeton Supersport.

16 minuta iu deshën vendasve për të kaluar përpara dhe ishte sulmuesi Bruno ai që zhbllokoi rezultatin. Pak sekonda para pushimit skuadra e drejtuar nga trajneri shqiptar thelloi avantazhin falë golit të lojtarit nga Hondurasi Najar. Në të 53-tën Bruno sigloi dygolëshin personal duke e zëvendësuar më së miri talentin 19-vjecar Mitrovic.

Ndërsa 9 minuta para fundit të takimit kishte vend edhe për një finalizim të Praet që fiksoi shifrat përfundimtare në 4-0. Me këtë sukses Anderlecht u ngjit në vendin e parë në koutën e 45 pikëve po aq sa Club Brugge por nëse dy skuadrat e mbyllin me pikë të barabarta sezonin do të jetë Anderlechti i Besnik Hasit ekipi që do të shpallet kampion I Belgjikës pasi ka arritur ta mposhtë Bruggen dy herë në përballjet direkte.

Exit mobile version