Site icon PORTALB

Rabotniçki kampion, Renova mbetet në Ligën e Parë

Ekipi Shkëndijës vazhdoi serinë e fitoreve

Ekipi Shkëndijës vazhdoi serinë e fitoreve

Xhiro e 32-të, që ishte dhe e parafundit për sezonin 2013/14, ka sjellë emrin e skuadrës së re kampione, ndërsa në fund do të mësojmë edhe atë se kush do të arrijë të sigurojë vendin e fundit që mundëson dalje në garat evropiane. Gjithashtu janë mësuar edhe emrat e ekipeve që nga sezoni i ardhshëm do të garojnë në Ligën e Dytë. 

Shkëndija ka vazhduar serinë e ndeshjeve pa disfatë, duke shënuar fitoren e gjashtë radhazi, ndërsa kësaj radhe kuqezinjtë e mundën Metalurgun në Shkup, me golat që i shënuan dyshja sulmuese Vruçina  – Kurtishi.
Pikërisht vendasit ishin ata të cilët të parët shënuan gol në këtë ndeshje me anë të kapitenit të tyre Bllagoja Ljamçevski në minutën e 23-të. 
Sulmuesi kroat Bojan Vruçina golin e barazimit e realizoi në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa golin e fitores Mensur Kurtishi e realizoi në minutën e 74-të.

Kampionët e vjetër të Maqedonisë, Vardari falë një super goli të shënuar nga Filip Ivanovski në minutën e 72-të mundi Horizont Turnovën, skuadër kjo e cila me këtë disfatë i tha lamtumirë titullit të kampionit.

Në këtë mënyrë Vardari dhe Shkëndija vizën për në Liga Evropa do ta nxjerrin vetëm në ndeshjet e xhiros së fundit. Vardari si mysafir do të përballet me Bregallnicën në Shtip, ndërkohë Shkëndija në Tetovë do të mirëpret Pelisterin, që sot në Manastir barazoi 1:1 me Bregallnicën.

Renova falë fitores 4:2 ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit edhe përfundimisht siguroi mbijetesën në elitën e futbollit vendor, ndërkohë në ndeshjen midis dy skuadrave që vitin tjetër do të luajnë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, Napredoku si mysafir me rezultatin 3:2 mundi Gostivarin.

Rabotniçki për herë të katërt në historikun e vetë është shpallur kampion i Maqedonisë, pasi sot në javën e parafundit të kampionatit vendor me rezultatin 2:0 mundi EuroMilkun. Falë kësaj fitore, por parasëgjithash edhe fitores së Vardarit ndaj Horizont Turnovës, “romantikët” iu gëzuan titullit të kampionit që ju mungonte për 5 vite.
Deri tek titulli i kampionit “romantikët” në takimin përballë EuroMilkut i udhëhoqi Borçe Manevski, i cili shënoi të dy golat. Golin e parë Manevski e realizoi në minutën e 66-të, kur mjaft mirë pranoi një top në zonën kundërshtare dhe me një goditje precize shënoi në rrjetën e Maxharovskit. / Portalb

Exit mobile version