Site icon PORTALB

Në USHT promovohen “ Ditët e Kulturës Turke”

Në USHT promovohen “ Ditët e Kulturës Turke”

Në USHT promovohen “ Ditët e Kulturës Turke”

Universiteti Shtetëror i Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Turke “Yunus Emre” promovuan Ditët e Kulturës Turke.

Me këtë aktivitet USHT dëshmon se është një arenë ku promovohen të gjitha diversitetet kulturore dhe si  universitet synon të ndikojë dukshëm në ngritjen e urave të bashkëpunimit kulturor, akademik dhe institucional, në mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe të gjitha institucioneve të tjera të rajonit dhe më gjerë. 

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Arbër Çeliku e vlerësoi lartë kontributin e Institutit Yunus Emre që jep në promovimin e përbashkët të kulturës turke dhe asaj shqiptare. 

“Unë do të theksoj me këtë rast rolin e Institutit Yunus Emre që e ka dhënë, në veçanti për zhvillimin e kulturës turke këtu në Republikën e Maqedonisë, por edhe në ngritjen e urave të bashkëpunimit midis popullit turk dhe atij shqiptar, sidomos ndihmesën e madhe që deri më tani ky institucion ia ka dhënë Universitetit Shtetëror të Tetovës me ngritjen e laboratorëve dhe me mbështetjen e projekteve të ndryshme kulturore për studentët tanë të cilët i shijojnë këto të mira nga ana e këtij institucioni. 

Prandaj, në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe në emër të gjithë studentëve të USHT-së Institutit Yunus Emre i shprehim falënderimet tona më të sinqerta, duke uruar që në të ardhmen edhe më shumë të thellohet bashkëpunimi ynë”, tha Çeliku. Drejtori i Qendrës Kulturore Turke Yunus Emre, Fejzullah Bacin falënderoi USHT-në për mbështetjen që i ka dhënë qendrës Yunus Emre gjatë këtyre dy viteve të fundit, për promovimin e ditëve të kulturës turke në ambientet e USHT-së. ”

Më vjen mirë që javën e promovimit të kulturës turke ne e fillojmë nga Universitetit Shtetëror i Tetovës. Ky aktivitet ka për qëllim prezantimin e kulturës turke dhe asaj shqiptare. Do të doja ta vlerësoj lartë kontributin e Programit studimor të Orientalistikës të Fakultetit Filozofik të USHT-së për mbështetjen që na japin në këtë aktivitet. 

Ne sot, këtu shpalosëm një program të begatë artistik ku mes tjerash prezantuam disa këngë me motive shqiptare dhe turke. Gjithashtu, patëm mundësi që para studentëve shqiptarë të USHT-së të prezantojmë edhe punën dhe aktivitetet e Qendrës Kulturore Yonus Emre, sigurisht që për këtë i jemi mirënjohës udhëheqësisë së USHT-së për bashkëpunimin që na kanë ofruar në këtë drejtim”, deklaroi Fejzullah Bacin. 

Studentët e Programit studimor të Orientalistikës dhe nxënës të shkollave të mesme para të pranishmëve, në kuadër të Ditëve të Kulturës Turke kanë prezantuar para studentëve të USHT-së ushqimet tradicionale turke, poezi, këngë, dhe valle me motive turke dhe shqiptare. Prezantimi i Ditëve të Kulturës Turke gjatë ditëve në vijim do të mbahet edhe në qytetet tjera të Maqedonisë, si në Shtip dhe Shkup.

Exit mobile version