Site icon PORTALB

Revolucioni i Luis Enrique te Barcelona

Luis Enrique

Luis Enrique

Eshtë një ekspert i ADN-së blaugrana. Luis Enrique mund të jetë pasuesi perfekt i Pep Guardiolës te Barcelona sepse e njeh mirë ambientin sportiv e shoqëror. Mbërritja e tij pritet të shoqërohet me revolucionin rrënjësor që kishte planifikuar trajneri aktual i Bayernit para se të vendoste largimin nga Camp Nou.

Pikërisht këto ndryshime të mëdha kanë qënë në fokus të bisedës që Zubizarreta pati pak ditë më parë me Luis Enrique dhe konfigurimi do të nisë që nga stafi teknik. Bashkë me të do të mbërrijnë 4 bashkëpunëtorë, ndërsa do të largohen me Tata Martinon njerëzit e tij më të afërt, si dhe stafi i mbetur nga koha kur Barça drejtohej nga Tito Vilanova.

Rimodelimi i skuadrës është detyra më e vështirë e më delikate, megjithatë është e paprekshme shtylla kurrizore e blaugranave që janë Jordi Alba, Pique, Busquets, Iniesta, Xavi, Messi dhe Neymar, ndërsa siguri ka edhe për portën me Ter Stegen që tashmë është një goditje e konfirmuar e merkatos verore, transmeton Supersport.

Të qarta janë idetë edhe për ata që nuk kanë dhënë sa duhet apo që nuk shikohen më të nevojshëm për projektin e ri, e kështu etapës së tyre te Barça i ka ardhur fundi. Valdes e Puyol janë dy largimet që dihen prej kohësh, por në diskutim është edhe Pinto.

Jashtë planeve të Zubizarretas qëndrojnë gjithashtu Dos Santos, Afellay, Cuenca, Tello dhe Song, ndërkohë që Pedro, Alexis, Mascherano, Adriano dhe Cesc Fabregas, fatin e tyre në Camp Nou e kanë të lidhur me ofertat që mund të mbërrijnë gjatë verës. Për repartin e mbrojtjes që konsiderohet si thembra e Akilit në Barcelonën e sezoneve të fundit, kërkohen dy lojtarë dhe si të përzgjedhur shikohen David Luiz i Chelsea dhe Aymeric Laporte i Bilbaos. Përsa i përket të huazuarve, Luis Enrique dëshiron rikthimin në shtëpi të mesfushorit Rafinha, të cilin e ka aktualisht në ekip te Celta Vigo, por nuk do të ketë të njëjtin fat Bojan Krkic që ndodhet te Ajaxi.

Exit mobile version