Site icon PORTALB

VMRO e papërshtatshme për shqiptarët, BDI për maqedonasit

Llogo VMRO-DPMNE - BDI

Llogo VMRO-DPMNE - BDI

Bisedimet për formimin e Qeverisë së re ende janë duke u zhvilluar, por shtrohet pyetja se sa është VMRO partner i duhur për shqiptarët duke pasur parasysh faktin që numri i shqiptarëve që mbështesin eurointegrimet shkon duke u rritur, kurse VMRO bllokon këtë proces duke mos zgjidhur çështjen e emrit.

Analisti Nazim Rashidi thotë se VMRO nuk është e përshtatshme për shqiptarë por edhe BDI nuk është e përshtatshme për maqedonasit, andaj duhet të menaxhojnë pikërisht këto percepsione.

“As VMRO nuk është e përshtatshme në sytë e shqiptarëve por as BDI në sytë e maqedonasve. Në kohën kur këto dy parti po bëjnë negociata duhet të menaxhojnë pikërisht këto percepsione dhe prandaj janë politikanët. Çështja është se si do të suportohen tani, sidomos VMRO DPMNE e cila hapur bënte thirrje që të marrë 62 deputete që mos të pengohej nga askush. Është iluzion të mendohet se Maqedonia mund të qeveriset pa shqiptarë, është pastaj çështje e etikës të subjekteve shqiptare se çfarë do të bëjnë: dëshpërimisht të hynë në qeveri pa varësisht të gjithave, ose dëshpërimisht të mbrojnë interesat shqiptare”, tha për Portalb, Rashidi.

Ai shtoi se nuk dyshon në atë që Maqedonia do të hyjë në tensione politike, mirëpo nuk mendon se edhe PDSH mund të kthejë mandatet. 

“Që Maqedonia do të hyjë në një periudhë tensionesh politike, me opozitën kryesore jashtë parlamentit nuk ka dyshim. Gjithçka do të varet nga hapat e mëtejmë. Pavarësisht reagimeve fillestare do të rritet presioni ndaj qeverisë së re që të komunikojë me opozitën. Nëse një veprim të tillë ndërmerr edhe PDSH sigurisht që pamja do të vështirësohet, por a do të ndodhë një gjë e tillë nuk e di, kur PDSH tenton të jetë pjesë e qeverisë? Nuk e di sa ka logjikë të duash të jesh pjesë e ekzekutivit dhe të bojkotosh legjislativin?”, shtoi Rashidi.

Nga ana tjetër të gjithë kandidatët e LSDM-së për deputet kanë nënshkruar te noteri se nuk do t’i pranojnë mandatet

Analisti Ymer Ismaili vlerëson se në Maqedoni anormalja është bërë normale dhe asgjë normale nuk mund te thuash.

“PDSH-së nuk mund t’i bëhen më komente politike por asaj duhet bërë diagnostifikime mentale klinike! Dhe në një vend ku anormalja është bërë normale asgjë normale nuk mund të thuash! Nuk mund të kontestohet fituesi në zgjedhje të rregullta, me gjithë kontestimin dhe parregullsitë eventuale. Në sistemin juridik dhe politik në Maqedoni, partia që ka legjitimitetin e përfaqësimit është ajo që ka fituar të paktën edhe një votë më shumë se partia tjetër.” tha për Portalb, Ismaili.

Ndërkaq jozyrtarisht burime partiake thonë se nga përshtypjet e para bisedimet nuk shkojnë edhe aq mirë mes VMRO-së dhe BDI-së, dhe me siguri vështir se do të arrihet ndonjë marrëveshje. 

Exit mobile version