Site icon PORTALB

Ja çfarë reforma priten të ndodhin në Ministrinë e Shëndetësisë

Arben Taravari

Arben Taravari

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në takimin e sontëm joformal me gazetarët, premtoi transparencë dhe komunikim të ndërsjelltë me mediat, por dhe me të gjithë qytetarët e Maqedonisë që siç tha ai, reformat t’i ndjejnë të gjithë, raporton Portalb.mk.

“Sonte pata mundësinë të takohem me gazetarë dhe përfaqësues prej më shumë mediumeve, në një shoqërim joformal të cilën e organizova si Ministër i Shëndetësisë. Në këtë takim joformal bisedova me ta për gjendjen aktuale të mediave në Maqedoni, dhe ju porosita që për ne është më e rëndësishme që qytetarët të jenë të informuar në mënyrë sa më transparente për gjendjet në shëndetësi përmes mediave që janë zëri i qytetarëve. Ministria e Shëndetësisë është e hapur për bashkëpunim me mediat dhe pres punë të suksesshme dhe të frytshme bashkërisht”, shkruan në “Facebook”, Taravari.

Ai tha se, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka qenë në gjendje “të kalbur”, tanimë gjendja në këtë institucion ka filluar të normalizohet dhe kanë filluar reformat, megjithatë ende ka mjaft punë.

“Kemi ende mjaft punë. Qytetarët duhet t’i ndjejnë reformat. Deri më tani çdo gjë ka qenë e kalbur, shpresojmë që me reformat që do t’i sjellim do të rregullohet gjithçka, por na duhet kohë, pasi që nuk e kemi shkopin magjik që t’i rregullojmë të gjitha çështjet menjëherë. Punën do ta bëjmë bashkërisht edhe me mediat, na duhen edhe rrëfime pozitive. Kjo nuk do të thotë se s’duhet të ketë vend për kritika, ato na shtyjnë që të punojmë edhe më shumë, megjithatë, duhet të jetë edhe aspektin pozitiv. Do të jemi në kontakt të vazhdueshëm për çështjet që do t’i ndërmarrim”, tha Taravari, në takimin joformal.

“Live stream” me Taravarin

Pos, hapjes së këndit të ri “Përshëndetje Taravari”, ku qytetarët në numrin 071/349999 përmes mesazheve elektronike në Whatsapp dhe Viber do mund të drejtohen  për çdo ide, sugjerim, lëvdatë ose për parregullsi, përpjekje për korrupsion dhe tjera parregullsi me të cilat janë ndeshur në funksionimin e sistemit shëndetësor dhe vendosjen në funksion të faqeve të Ministrisë së Shëndetësisë në rrjetet sociale, pritet që ministri së shpejtë të organizojë edhe komunikim të drejtpërdrejtë “live stream” në rrjetet sociale, ku njëherë në javë qytetarët do të munden aty për aty ta pyesin dhe të marrin përgjigje për çështjet që ju interesojnë.

Në çdo institucion shërbime në gjuhën shqipe

Pjesë e reformave do të jetë edhe përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shëndetësore. Gjegjësisht, ashtu siç tha Taravari, në secilin institucion shëndetësor, qytetarët do të kenë të drejtë të kërkojnë ndihmë apo informata në gjuhën e tyre amë.

Ambulanta urgjente

“Termini im”, do të reformohet në atë mënyrë që në secilin spital do të formohen ambulanta, të cilat do të merren vetëm me rastet urgjente të cilët shkojnë në spital. Ministri tha se si formë do të ekzistojë, megjithatë këto ambulanca, do ta bëjnë më efikase punën, edhe për mjekët, por edhe për pacientët që nëse ka ndonjë rast urgjent të mos caktohet termin, por të trajtohet si rast urgjent, transmeton Portalb.mk.

Më shumë mjekë, infermiere dhe ndihmës teknikë 

Çështja e mungesës së kuadrove, gjegjësisht mjekëve dhe infermiereve, është njëra ndër çështjet tjera ku ministri paralajmëron punësime të reja, aq sa do të ketë mundësi në kuadër të buxhetit të Ministrisë. Mungesë ka shumë, megjithatë Taravari tha se “sa të mundem do të punësoj mjekë infermiere, dhe ndihmës teknikë”.

Hapësirat për punë në Ministrinë e Shëndetësisë janë mjaft të vogla, pasi që rreth 150 të punësuar punojnë vetëm në 15 zyra, andaj pritet që së shpejti Ministria të dislokohet në ndonjë vend tjetër.

Pos këtyre, Taravari premtoi reforma në çdo aspekt, që siç tha ai “t’i ndjejnë qytetarët”.

Rikujtojmë se Taravari, të premten shfuqizoi vendimin për çmime të reja të barnave. Sipas vendimit, Taravari, ka parandaluar pagesën shtesë për barnat, e cila do të duhej të hynte në fuqi nga 17 qershori. Ish ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, vendimin në fjalë e solli më 30 maj, gjegjësisht një ditë përpara ikjes nga funksioni.

Exit mobile version