Site icon PORTALB

De Biasi konfirmon: Largohem në fund të eleminatoreve

Gianni De Biasi

Gianni De Biasi

Në konferencën për shtyp pas rikthimit në Shqipëri dhe fitores ndaj Izraelit në Haifa, trajneri Gianni De Biasi konfirmoi largimin nga drejtimi i “Kuqezinjëve” në fund të eleminatorëve, njofton top-channel.

Deklarata “bombë”, por jo e papritur u bë mesditën e së martës, ku trajneri i Kombëtares bëri edhe bilancin e tij në krye të “Kuqezinjëve”.

De Biasi do të mbahet mend si trajneri më i suksesshëm në krye të Shqipërisë, si një ndër protagonistët e kualifikimit historik të skuadrës tonë në një kompeticion madhor, siç ishte ai i qershorit të vitit të kaluar në Europianin francez.

Periudha më e errët e De Biasit në krye të kuqezinjëve ishin pesë ndeshjet zyrtare dhe miqësore para përballjes me Izraelin, që të pesta të humbura. Këto humbje, sidomos ajo ndaj Luksemburgut 2-1, shtuan zërat që kërkonin largimin e tij në mediat dhe analistët sportivë në vend.

Trajneri komentoi edhe këto zëra.

“Më vjen keq që pas ndeshjes me Izraelin shumë do të donin të bënin gati funeralin tim”, u shpreh ai.

De Biasi tha se ka patur marrëdhënie speciale me Presidentin e FSHF-së dhe shumë kujtime të bukura, por në aspektin personal ka edhe kujtime që nuk do donte t’i kujtonte.

Deri në fund të eleminatoreve janë edhe katër sfida të tjera. E para në Elbasan Arena më 2 shtator kundër Lihtenshtejnit, e dyta tri ditë më vonë kundër Maqedonisë në transfertë, për të udhëtuar më pas drejt Spanjës për t’u përballur me iberikët.

Në fund, si për rastësi, trajneri italian mbyll aventurën e tij në krye të Kuqezinjëve kundër vendlindjes së tij, më 9 tetor.

Exit mobile version