Site icon PORTALB

Diktator i vogël – dëme të mëdha!

Mersel Bilalli

Mersel Bilalli

Kaligula ishte perandor mizor i shtetit romak. Thellë besonte se një ditë do të bëhej zot, duke e zëvendësuar zotin Jupiter. Madje besonte se ishte reinkarnim i tij. Gjatë sundimit u shndërrua në një  përbindësh të paparë.  Së pari, e kishte zhveshur nga pushteti senatin duke vrarë shumë senatorë, në mënyrë që të mbjellë frikë tek të tjerët. Madje, që t’i nënçmojë, ai edhe  kalin i vet “Kasaç” e kishte emëruar së pari si konsull, e më pastaj senator. U bë aq mizor saqë njëherë urdhëroi që dy rreshtat e parë të publikut në arenë t’i hedhin poshtë që t’i hanë egërsirat, pasi ndjehej i bezdisur. Mijëra njerëz kishte ekzekutuar, madje edhe gjyshen e tij. Ai vrau dhëndrin dhe kunatin e tij, kurse dy motrat e tij kishin ikur larg diku që të shpëtojnë veten nga vdekja. Për statusin e tij “hyjnor” kishte imponuar rituale të posaçme të përkuljes të cilat para tij nuk kishin ekzistuar si – “puthja e këmbëve”, etj.

Fuqinë e tij e kishte demonstruar edhe nëpërmjet ndërtimeve të shtrenjta madhështore, për derisa njerëzit në mënyrë masovike vdisnin nga uria. I kishte ndërtuar Tempullin e  Augustit, Teatrin e Pompejit, Amfiteatrin te Septa, e kishte modernizuar pallatin mbretëror, e kishte nisur ujësjellësin “Aqua Claudia” dhe “Anio Novus”. Madje nga Egjipti e kishte sjellë Obeliksin e madh tani të njohur si “Obeliksi i Vatikanit” si dhe kishe nisur tempullin “Apollon” me përmasa të papara. Ndërkaq njerëzit gjithnjë e më shumë vuanin.

Për shkak të brutalitetit të tij, ai brutalisht u vra pikërisht nga njerëzit e tij më të afërt.

E gjithë kjo disi kjo më duket shumë e njohur, madje edhe këtu në afërsinë time (hapësinore dhe kohore). U ngritën përmendore të larta që njerëzit të duken sa më të vegjël, të imtë dhe të poshtëruar. Me vite të tëra ndërtuan kullat e tyre të larta, duke i rrënuar jetët tona. U rindërtua parlamenti, por u zhvesh nga pushteti duke u shndërrua në një tempull të shërbëtorëve. U  ndërtua ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese që më pas Kushtetuta të shndërrohet në letër tualeti. U ndërtua Porta Triumfale, për të shënuar triumfin e marrëzisë shekullore. U  ndërtuan „mauzole“ të ndryshme të pavlefshme, ndërkaq shumë kuaj u emëruan për senatorë, ministra, deputetë, gjyqtarë, ambasadorë dhe kështu me radhë. Kur kuajt bëjnë politikë, i gjithë shteti shndërrohet në një stallë.

Ndërkaq në prapavijë të stallës, krimi i Aktorit, Zletovicës, Sinohidros, Qytetit Diellor, parcelës, Bankës së Maqedonisë, Zagorac, monumente, ndërtesa publike, tenderë dhe çkamos tjera,  lidhur me Qipron, Luganon, Belizenë, Karan, Sirahun, larje të parave partiake dhe shumë të tjera, që tani janë objekt i hetimit serial, me shkronjën “T”. Ka pasur dhe shumë reketime, shantazhime, maltretime, dëbime, burgime, dhe madje edhe vrasje, kurse ne silleshim indiferentë dhe sadistë ndaj mjerimit vetanak.

Maja e çmendurisë ishte tentimi për grusht shtet. Ajo tregon se çfarë mendje primitive dhe injorante ka qeverisur me shtetin! Si mendje e piratëve të dehur që vendin e solli gjer në “Titanik”. Por, ka dallim, pasi që atje u mbytën  1500 udhëtarë rasti, kurse këtu vuajtën milion njerëz të mjerë dhe jo të rastësishëm. Milion shpirtra u bënë viktima të një grupi të vogël të pashpirt, me tru të vogël  e me krime të mëdha nga arsenali – çmenduri në njëqind hapa. Ndërkaq mendja e një të sëmuri nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, krenohet me prokurorin Zvrlevski  “të përsosur”! Siç duket përsosmëria u shërben si ngushëllim për mjerimin e tyre. Mbetet që të shohim se mos ndoshta edhe Shutka do të jetë një burg “i përsosur”.

 

Asgjësimi ekonomik, borxhet …

Le të përkujtohemi se në vitin 2006 kur u ndërrua qeveria, shteti duhej që t’i  fillonte negociatat për anëtarësim në UE, që pastaj në vitin 2011 të bëhej anëtare e plotë. Ajo ishte lidere në rajon, pasi që Serbia pas dhjetë vjet lufte dhe sanksioneve  ishte e gjunjëzuar. Atëherë pension mesatar ishte vetë 32 euro. Bosnja e Hercegovina gjendej në shtrat spitali, pas rreth 200 mijë viktimave dhe një milion e gjysmë të zhvendosur. Mali i Zi dhe Kosova ende nuk ishin as shtete, kurse Shqipëria veç më sapo kishte filluar të negociojë për procesin e stabilizim-asocimit. Madje ishim edhe para Kroacisë, pasi që ajo kishte disa  probleme me Slloveninë, por ajo me mençuri i zgjidhi. Dhe tani ne jemi në fund fare, në shoqërinë e vendeve më të varfra në botë dhe me borxhi tri herë më të lartë krahasuar me vitin 2006! Institucioneve tani  u nevojitet një reanimim klinik, por ajo aspak nuk i pengon  ish-kryeministrit i cili pa u skuqur kërkon anëtarësim të shpejtë në NATO dhe UE, supozoj me mbështetjen logjistike të Mirkës, Latasit, dhiarit, byrekxhiut …

Për derisa ne ecnim mbrapa, Serbia u bë lider në rajon dhe tani po negocion për anëtarësim të plotë në UE, ndërkaq paga mesatare u ngrit në 410 euro. Bosnja dhe Hercegovina ka arritur në 431 euro (rreth 60 euro më shumë se Maqedonia). E mos të flasim për Malin e Zi i cili për 10 vjet së ekzistuari u bë anëtare e NATO-s dhe vazhdon me  Programi për anëtarësim në UE. Paga mesatare e tij arriti në rreth 550 euro. Tani para nesh është edhe Kosova, me 402 euro. Kurse neve na mbeti vetëm mjerimi, eksodi dhe lotët. Por, qoftë edhe vetëm nga një pikë loti mund të shihet më qartë se nëpërmjet qindra teleskopëve dhe televizioneve gebelsiste. 

Çka më tutje?

Nuk ka dyshim se Uashingtoni dhe Brukseli do ta mbështesin fuqishëm qeverinë e Zaevit, edhe pse një partner i koalicionit mblodhi do persona me afat të skaduar. Deficiti i tillë i kapacitetit brenda partiak për reforma është një tregues i besueshëm për zhdukjen e atij subjekti nga skena politike. Por, problemi është se me ta dëmtohet i gjithë procesi. Qeveria do t’i përkushtohet agjendës euro-atlantike, si e vetmja garancë për stabilitet të brendshëm dhe rajonal dhe zhvillim. Me anëtarësim të shpejtë në NATO dhe UE, të gjithëve do t’u bëhet e qartë se emri i shtetit ishte vetëm një pretekst për ta eliminuar këtë agjendë.

Qeveria tani duhet të lobojë fuqishëm ndihmë të pakthyeshme nga vendet perëndimore, duke u ofruar projekte konkrete. Ajo duhet të ketë një strategji reale për zhvillimin e përgjithshëm konform resurseve dhe potencialeve tjera. Eksperti i njohur britanik i turizmit S.Medlik sugjeron investime në turizmin rural, ku shumë lirë 12 muaj do të pushonin pensionistët evropianë, pastaj shfrytëzim të kapaciteteve malore dhe bujqësi moderne. Ai  informimin e detajuar të çdo investitori e konsiderohet si një faktor kyç në zhvillim.

Ish qeveria humbi komponente tejet të rëndësishëm të Korridorit 8, si dhe dukshëm margjinalizoi Korridorin 10 (tani kah përfundimi është Korridori 4 konkurrent që kalon nëpër Hungari, Rumani, Bullgari dhe pastaj Greqi e Turqi). I morri uji miliarda euro për shkak të manipulimeve politike. Autostradat, hekurudhat, kabllot optike, largpërçuesit elektrikë si komponente tjera nga  K8 tashmë gjetën alternativën te fqinjët tanë. Tani mund të shpëtohet vetëm tubacioni WBR (Western Balkan Ring – Unaza e Ballkanit Perëndimor), e cila është ndarë nga Shqipëria si degë e TAP-tubacionit të gazit (Trans Adriatic Pipelines), e cila do të fillojë të furnizojë me gaz pas dy viteve. Ajo degë duhet të hyjë në Strugë, të kalojë përmes Maqedonisë dhe të vazhdojë drejtë Kosovës dhe Serbisë. Ky projekt jo vetëm që do të jetë ekonomikisht i rëndësishëm për shtetet e rajonit, por edhe dukshëm do ta forcojë pozitën e tyre rajonale gjeopolitike.

Përfundimisht, kuptojmë se përvoja është një shkollë e mirë, por shumë e shtrenjtë. Njerëzit duhet të vetëdijesohen e t’i hapin mirë sytë për dy gjëra – kur zgjedhin shokun e jetës dhe kur votojnë. Nëse atëherë nuk i  hapni mirë sytë, atëherë me vite të tëra do duhet t’i mbyllin. Kurse Kaligula me kuajt e tij duhet të përfundojë në ndonjë stallë.

Exit mobile version