Futbollisti shqiptar nga Kumanova, Taulant Seferi është gati për të luajtur me Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë në ndeshjet zyrtare, të kualifikueseve të Evropianit 2019.
FIFA tani më ka aprovuar kërkesën e futbollistit dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, që Seferi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi. Leje-kalimi ishte i nevojshëm, sepse në të kaluarën mesfushori kumanovar kishte luajtur me përfaqësueset e moshave të Maqedonisë.
Departamenti i Statusit të Lojtarit në selinë e FIFA-s dha “dritën jeshile” që 20-vjeçari të luajë prej ndeshjes së parë kualifikuese të Shpresave në Kampionatin Evropian, të hënën më 12 qershor përballë Estonisë në “Elbasan Arena”.
Vetëm pak ditë pasi u pajis me pasaportën shqiptare, Taulant Seferi ka debutuar me Kombëtaren e 21-vjeçarëve gjatë muajit Mars, në dy miqësoret e luajtura përballë Moldavisë. Lojtari i Young Boysit në superligën zvicerane është një përforcim i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi dhe një alternativë më tepër për manovrat sulmuese të skuadrës.
.