Site icon PORTALB

VMRO ftesën e parë do t’ia dërgojë BDI-së

VMRO ftesën e parë do t’ia dërgoj BDI-së

Ali Ahmeti - Nikolla Gurevski

VMRO-DPMNE ftesën e parë për fillimin e negociatave për formimin e koalicionit qeveritar do t’ia dërgojë BDI.

Kjo bëhet e ditur nga VMRO-DPMNE duke u thirrur në burime të larta partiake, të cilat kanë folur për mediat maqedonase. Gazeta “Dnevnik” duke u thirrur në një zyrtar të lartë të VMRO-DPMNE shkruan se kjo parti pas festës së 1 majit do t’i dërgoj ftesë BDI-së për negociata për formimin e koalicionit qeverisës. Por gazeta shkruan se çështja kyçe e negociatave dhe koalicionimit do të jenë kërkesat politike të BDI-së dhe legjitimiteti i presidentit Gjorgje Ivanov, i cili nuk pranohet nga partia shqiptare. 

“Negociatat do ti zhvillojmë sipas programit dhe prioriteteve tona në këtë mandat që fituam. Do të shohim se cila është oferta e BDI, programi i tyre dhe kërkesat dhe më pas do të shqyrtojmë se a mund të gjejmë gjuhë të përbashkët. Shtylla e platformës qeveritare do të jetë programi i VMRO-DPMNE, ku si prioritet mbetet ekonomia, infrastruktura, investimet e huaja. Vështirë do të shkojë dhe nuk besoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët me BDI, nëse insistojnë për dygjuhësi në tërë territorin e vendit, ndryshim të kushtetutës për ndryshimin e modelit zgjedhor për zgjedhjen e presidentit”, theksuan nga VMRO-DPMNE për gazetën. 

Kjo parti më tej ka nënvizuar se angazhohet për dialog të mirë politik dhe nuk do të lejojë nënçmimin. VMRO-DPMNE gjithashtu bën të ditur se askujt nuk i është garantuar vendi në Qeveri. Funksionari i lartë i VMRO-DPMNE nuk beson se është e mundur që dyja partitë shqiptare BDI dhe PDSH do të jenë pjesë e Qeverisë, edhe  pse nuk është biseduar për këtë variant. 

Sipas gazetës negociatorët për formimin e qeverisë do të jenë Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE dhe Abdilaqim Ademi nga BDI.

Exit mobile version