Site icon PORTALB

“Forbes” zbulon ekipin me vlerën më të madhe. Nuk është Reali

Pavarësisht fitimit të Champions League për të dytin vit radhazi, Reali nuk mund të ngjitet në majën e një renditjeje speciale, por ka zbritur në vendin e tretë. Vendin e parë në klasifikimin e “Forbes” për klubet më të vlefshme të botës e ka zënë Manchester United, për herë të parë në 5 vitet e fundit, transmeton Top Channel.

Sipas “Forbes”, “djajtë e kuq” vlerësohen me 3.69 miliardë dollarë, përpara gjigantëve spanjollë si Barcelona dhe Real Madrid. Katalanasit kanë një vlerë prej 3.64 miliardë dollarë, ndërsa Reali, i cili mbante vendin më të lartë të podiumit në 4 vitet e kaluara, zbret në fund të podiumit me një vlerë prej 3.58 miliardë dollarë.

Bayern Munchen, me 2.71 mld dollarë, dhe Manchester City, me 2.08 mld dollarë, plotësojnë pesëshen e ekipeve më me vlerë të botës. Ndërsa në 10-she futen edhe Arsenali, Chelsea, Liverpool, Juventusi dhe Tottenham.

Mike Ozanian, ndihmësredaktor menaxherial i “Forbes”-it, tha se rikthimi i Manchester United në krye është një tregues i fuqisë së markës së tyre dhe mendjemprehtësisë së tyre në marketing.

United gjeneroi 765 milionë dollarë të ardhura gjatë sezonit 2015-2016, sipas “Forbes”, 77 milionë më shumë sesa Barça dhe Reali. Javën e kaluar, United u shpall edhe si ekipi më i vlefshëm në Europë, pas raportit të audituesve të “KPMG”-së, që e vlerësuan klubin me 3.0004 miliardë euro (3.39 mld dollarë).

“Djajtë e kuq”, që fituan Europa League këtë sezon, pavarësisht se u renditën në vendin e 6 në Premier League, kanë aktualisht 26 marrëveshje globale sponsorizimi, përfshi ato me “Adidas”, “Chevrolet”, “20th Century Fox” dhe “Uber”, sikurse edhe 10 marrëveshje rajonale sponsorizimi dhe 28 sponsorë mediatikë e financiarë.

Exit mobile version