Guardiola: Përgëzoj Realin, s’kam ndërmend të largohem

“Ishte një mbrëmje e vështirë për mua dhe për skuadrën dhe kritikat janë pjesë e punës”.

Ishin këto disa nga fjalët e thëna gjermanisht nga Pep Guardiola, i cili komentoi dhe pranoi përgjegjësinë për atë humbje shokuese e turpëruese të Bayernit, ndërkohë që shumë tifozë bavarezë derdhnin lot kur panë skuadrën e tyre të shpërfytyrohej para galaktikëve të Realit.

“Kam gabuar në disa zgjedhje taktike, është përgjegjësia ime. Kur luan keq, këto gjëra ndodhin përballë një rivali të madh. Jam shumë i zhgënjyer. Përgëzime Realit për kualifikimin në finale, e ka merituar, sidomos për pjesën e parë”.

Në lidhje me pikëpyetjet e të ardhmes, ish tekniku i Barçës i kritikuar më së shumti për importimin e tiki-takas në Gjermani, shuajti çdo dyshim, teksa pranoi se është e vështirë ndjekja e hapave të Heynckes, transmeton Supersport.

“As nuk jam i lodhur dhe as nuk dua të largohem. Kjo skuadër duhet të fitojë gjithçka që njerëzit të jenë të lumtur, por kjo në disa raste nuk është e mundur. Më parë Bayerni prej 3 sezonesh nuk fitonte asgjë, ndërsa vitin e kaluar fitoi gjithçka dhe këtë sezon mund të krahasoheshim vetëm me sukseset e një sezoni më parë. I tillë është sporti, tani kishte një skuadër që ishte më mirë se ne”.

Ashtu si një javë më parë, Franz Beckenbauer iu rikthye kritikave duke thënë se eliminimi në gjysmëfinale konfirmoi se Bayerni po kalon momente jo të mira. Kaizeri përgëzoi më tej Realin dhe tha se madrilenët janë me të drejtë fitues dhe e merituan finalen.

Ndërsa shefi ekzekutiv i bavarezëve, Rummenigge, edhe ky i prerë në deklaratën e tij, u shpreh se në këto momente është më mirë të mos thuhet asgjë, Reali ishte një rival që dominoi dukshëm dhe humbjen e quajti një shpartallim të Bayernit.

Lajme të ngjashme

Back to top button