Kosova, në rrezik nga modeli i Bosnjës

Një seri veprimesh ligjore e presin legjislaturën e re, pas aprovimit të vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe krijimit të Gjykatës Speciale. Por, njëri prej tyre nuk duhet të lejohet, sepse kthen Pavarësinë e Kosovës në kohën e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe e shndërron Kosovën në shtet model të Bosnjës.

Bëhet fjalë për vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, anëtarëve ndërkombëtarë në Agjencinë e Pronave dhe në zyrën e Auditorit të Përgjithshëm. Kjo gjë është kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe – sipas deputetit kosovar Arsim Bajrami – është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ai tha se legjislatura e re duhet të parandalojë këtë kthim prapa të shtetit të Kosovës.

“Mendoj se Kuvendi duhet të refuzojë këto tendenca, që të kthehet prania e ndërkombëtarëve në Gjykatë. Ne mund të pranojmë misionin e EULEX-it, sepse ka qenë i përfshirë edhe në marrëveshjen e Ahtisaarit, por ne nuk mund të ripërtërijmë mbikëqyrjen e të huajve në Gjykatën Kushtetuese apo në agjenci të tjera, sepse kjo do të ishte kthim mbrapa, që praktikisht e mban peng Kosovën dhe e shndërron në një model të Bosnjës, ku fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur kurrë mekanizëm dalës dhe ka mbetur aty. Këtë gjë nuk duhet ta lejojmë të ndodhë me Kosovën, sepse është një vend me pavarësi të plotë, të njohur nga 106 shtete dhe ne duhet të besojmë në këtë shtet dhe të investojmë që përgjegjësitë t’i marrim vetë”, tha Arsim Bajrami, deputet i PDK-së.

Veprimin e presidentes Jahjaga dhe të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bajrami e quan tentativë për shkelje të aktit më të lartë juridik kushtetues. Ndërsa thekson se, ndonëse kërkesa duhet t’i vinte Kuvendit të Kosovës, jo vetëm që nuk ka ndodhur, por deputetët nuk janë konsultuar për këtë.

“Kjo është një tentativë për shkelje, që do të shndërrohet në shkelje vetëm nëse do të ishte pjesë e ndonjë instrumenti ligjor, pjesë e ndonjë vendimi apo ndonjë ligji. Por, ky është një letërkëmbim”, theksoi Arsim Bajrami, i pyetur nëse përbën ky veprim një shkelje të Kushtetutës.

“S’ka koment”, është përgjigja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë çështje, në një komunikim nëpërmjet telefonit. Ndërkohë, Presidenca e Kosovës ka thënë më herët në përgjigje, se gjithçka është bërë në pajtim me qeverinë e Kosovës.

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, aktualisht ka tre gjyqtarë ndërkombëtarë, të cilëve u skadon afati më 10 korrik. Pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kushtetuta e Kosovës nuk e njeh vazhdimin e mandatit të ndërkombëtarëve, as në agjencitë e tjera të përmendura se duhet të vazhdohet. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button