Site icon PORTALB

Mali i Zi shpreson se edhe Maqedonia do të pranohet në NATO

Kryeministri malazez, Dushko Maroviq shfaqi shpresë se pas vendit të tij, edhe Maqedonia së shpejti do të mund të anëtarësohet në NATO. Maroviq foli për zgjerimin e mëtutjeshëm të Aleancës gjatë ceremonisë në Uashignton për pranimin zyrtar të Malit të Zi në NATO, transmetoi Televizioni i Maqedonisë.

“Unë do të dëshiroja që edhe Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia ta përshpejtojnë procesin e vet. E dini se Maqedonia pati shkuar shumë larg, por për shkaqe të ndryshme ngeci në atë rrugë. Besoj se tani po krijohen rrethana dhe atmosferë e brendshme në Maqedoni që të niset me integrim të përshpejtuar jo vetëm kur është në pyetje NATO-ja, por edhe në Bashkimin Evropian. Mali i Zi është këtu ta përforcojë, të jetë me Maqedoninë dhe ta mbështesë dhe inkurajojë dhe kuptohet me njohuritë dhe përvojat e veta të kontribuojë që ai proces të përfundojë në afatin sa më të shkurtë të mundshëm”, deklaroi Maroviq.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu, paralajmëroi se Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina mund të pranohen në NATO nëse i zbatojnë reformat e nevojshme.

“Këtë që e bëmë sot dëshmon se dera e NATO-s është e hapur për ato shtete që janë të afta për reforma, ta zbatojnë sundimin e së drejtës dhe t’i modernizojnë institucionet e mbrojtjes. Punojmë me Bosnjë e Hercegovinën dhe me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe t’i zbatojnë reformat e domosdoshme në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, deklaroi Stoltenberg.

Exit mobile version