Site icon PORTALB

Maqedoni, opsionet për qeveri teknike

Fasada e re e Qeverisë së Maqedonisë do të jetë gati së bashku me Qeverinë e re?

Fasada e re e Qeverisë së Maqedonisë do të jetë gati së bashku me Qeverinë e re?

Opozita maqedonase në krye me Lidhjen Social Demokrate (LSDM) vazhdon të mos i njoh rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të së dielës kur kërkoi dhe qeveri teknike. Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së, dje njëzëri ka vendosur që t’i rekomandojë Këshillit Qendrorë të sjellë vendim për mos pranimin e mandateve të deputetëve. Sa i përket opozitës shqiptare, partia e Menduh Thaçit PDSH thotë se nuk i pranon rezultatet nga njëra anë, por nga tjetra kërkon të jetë në qeveri duke thënë se negocion me VMRO-në. RDK-ja mbetet në qëndrimin e njëjtë se nuk i pranojnë rezultatet duke kërkuar qeveri teknike. Mbetet ende e paqartë se çfarë kahje do të marrin zhvillimet politike në vend, analistët thonë se gjithçka varet nga bojkoti i LSDM-së në kombinim me faktorin politik shqiptar.

Cilat janë mundësitë për qeveri teknike?
LSDM pas refuzimit të mandatave të deputetëve do të vazhdojë të kërkojë qeveri teknike e cila do të funksionojë deri në organizimin e zgjedhjeve të reja. Sipas nenit 153 dhe 154 të Kodit Zgjedhor, me refuzimin e tyre, 34 mandatet do tu ofrohen kandidatëve të radhës në listat e LSDM-së. Nëse asnjë prej tyre nuk pranon dhe listës i vjen fundi, duhet të organizohen zgjedhje plotësuese në të gjitha njësitë nga vinë deputetët e zgjedhur të LSDM-së. Pasi që kjo procedurë zgjat, nëse flasim në afat kohor, zgjedhjet e reja mund të ndodhin në vjeshtë.

Mirëpo..
Megjithatë, sipas Rregullores së Parlamentit në pajtim me nenin 10, paragrafi 3, Kuvendi mund të konsituohet nëse në seancë marrin pjesë shumica e deputetëve të zgjedhur. Parlamenti edhe pa LSDM-në dhe RDK-në mund të mblidhet, dhe afati për këtë është data 17 maj. Ndërkaq Qeveria, me propozimin e mandatarit dhe në bazë të programit, duhet të zgjidhet në Parlament me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, më se voni deri më 16 qershor.

VMRO DPMNE nuk do ta pranojë kërkesën e LSDM-së për qeveri teknike andaj kjo gjë nuk do të ndodh, thotë profesori Ljubomir Frçkovski.
“Për qeveri teknike duhet të arrijnë marrëveshje të gjitha partitë, dhe të marrin pjesë me ekspertët e tyre në formimin e saj. Më pas, në afat prej 6 deri në 12 muaj do të duhet të shpallen zgjedhje të reja, por këtë VMRO-ja nuk do ta pranojë” thotë për Portalb profesori Frçkovski.

Nuk ka mundësi për Qeveri teknike pasi që fituesit e zgjedhjeve kanë një sasi të madhe të votave, qëndron në të njëjtën linjë profesori Mersel Bilalli.

Çelësi te VMRO apo te shqiptarët?
Nëse LSDM këmbëngul për bojkot dhe asaj i bashkëngjiten edhe shqiptarët atëherë mund të ndodhin zhvillime të reja në vend, që më në fund të mbahen zgjedhje demokratike duke e rrëzuar regjimin e VMRO-së, e cila sipas opozitës dhe mediave të huaja, ka marrë ngjyrim diktatorial. Analistët janë të mendimit se megjithatë duhet të kihet parasysh se tani VMRO do ti ketë 62 deputetë dhe partitë shqiptare si gjithnjë janë të etshme për pushtet andaj do të mundohen t’ia bëjnë qejfin Gruevskit.

“Nga gjithë këto zgjedhje duket se më shumë ka përfituar VMRO DPMNE dhe shqiptarët tash kanë pozita shumë më të dobëta pasi që edhe deputeti GROM-it do ti bashkëngjitet dhe do ti bëjë 62 deputet për të funksionuar lirshëm.  Në qoftë se opozita maqedonase ka energji të protestojë duke kontestuar legjitimitetin e zgjedhjeve atëherë do të kemi periudhë turbulente. Më e udhës është që ata aspak mos ti pranojnë mandatet e tyre, me çka dukshëm zbehet legjitimiteti i zgjedhjeve” thotë Bilalli.

Kërkesat e LSDM-së nuk mund të lihen aq lehtë pas dore sepse megjithatë bëhet fjalë për partinë më të madhe opozitare në Maqedoni, thotë njohësi i zhvillimeve politike, Robert Nesimi për Portalb.

“Do të jetë interesante nëse LSDM do të qëndrojë deri në fund bojkotit mos dorëzohen si në zgjedhjet lokale nën presion të ndërkombëtarëve. E nëse dorëzohen atëherë gjithçka do të jetë e njëjtë si tani nën udhëheqjen e VMRO-së. Ndërsa nëse LSDM bën trazira në vend, sërish do të varet nga pozicionimi i partive shqiptare, a do të vendosin ta përkrahin Gruevskin dhe regjimin e VMRO-së, apo edhe ata do të hynë në lojën që ndoshta të shkohet në qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Por personalisht besoj që ata do ta përkrahin VMRO-në duke u bazuar në atë që ka ndodhur deri më tani.” thotë për Portalb, Nesimi.

Çfarë flitet përreth për Qeverinë e re: VRMO dhe dy parti shqiptare
Spekulimet shkojnë deri në atë shkallë sa që thonë se VMRO pasi që të ketë marrë nën krahun e saj edhe deputetin e GROM-it, pra të bëjë 62 deputet, do të merr në qeveri edhe BDI edhe PDSH-në. Kjo do të ndodhë për disa arsye: VMRO nuk mund ta mohojë fitoren e madhe të BDI-së në këto zgjedhje ku mori 19 mandate dhe sërish do të ulen në tavolinë për negociata. Por nga ana tjetër, VMRO sipas burimeve të gazetave të afërta me të, nuk është e kënaqur  me BDI-në pasi që kanë dëshmi se kjo parti në disa vendvotime ka përkrahur kandidatin e opozitës maqedonase, Stevo Pendarovski.
Andaj, gjithnjë sipas informatave jozyrtare, VMRO nuk e pranon aq lehët këtë ‘tradhti’ nga BDI, kështu që i ofron edhe PDSH-së besnike mundësi për Qeveri. PDSH-ja madje e bëri publike që para zgjedhjeve se do ta përkrah Ivanovin nëse Halimi shkon në rreth të dytë duke bërë një ‘marrëveshje historike’ me VMRO-në.
Një funksionar i lartë i VMRO – DPMNE ka thënë për gazetën Dnevnik se aktivistë të BDI-së kanë përkrahur Pendarovskin, ndërsa disa simptazantë të PDSH-së kanë votuar për Ivanovin, dhe se kjo do të thotë shumë për ata. 

BDI nuk pranon qeverise së bashku PDSH-në, në PDSH heshtin
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se fitues i zgjedhjeve ndër shqiptarë është BDI-ja dhe se nuk mund të ndodh koalicion tjetër. Gjithashtu edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani për Portalb dha një përgjigje të prerë se nuk do të ndodh.

Por nga RDK, Artan Dika nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një qeverie të tillë.
“Tek ne gjithçka është e mundur. Nuk është për tu habitur edhe nëse krijohet një qeveri e tillë, sepse qëllimi i dy partive shqiptare është vjedhja e përbashkët, sepse nuk është vetëm Menduh Thaçi i cili takoi Sasho Mijalkovin, gjithashtu edhe Musa Xhaferri kishte takime me të, edhe BDI ka Sushiko, jo vetëm PDSH-ja. Andaj edhe mund të ndodh një gjë e tillë, pasi që idealet janë të njëjta”, tha Dika.

Nga PDSH askush nuk jep deklaratë lidhur me këtë çështje, edhe pse disa herë të kontaktuar nga Portalb.

Çfarë thonë ndërkombëtarët?
Ambasada amerikane në Shkup dhe Zyra e Bashkimit Evropian përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, i bashkohen vlerësimit të OSBE/ODIHR-së për menaxhimin e efektshëm të zgjedhjeve, ndërsa vërejnë mbulimin e njëanshëm të fushatës nga mediat dhe mungesën ë diferencimit të aktiviteteve shtetërore nga ato partiake. /Portalb

Exit mobile version