Site icon PORTALB

Flasin kandidatët e diasporës: Pse humbën shqiptarët nga maqedonasit?

Diaspora duke votuar

Diaspora duke votuar

Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Parlamentin e Maqedonisë të mbajtura më 27 prill kanë dhënë rezultatet që i dimë. Partitë që ishin në pushtet deri tash, kanë fituar sërish, madje bindshëm ndaj atyre të opozitës. Kështu, deri sa të parat i mban ende euforia e fitores, të dytat kontestojnë rezultatet, ose nuk i njohin ato fare, shkruan Albinfo.ch

Në një situatë të tillë, votuesit shqiptarë të diasporës janë pak a shumë në margjina të zhvillimeve. Edhe pse, ndryshe nga votimet e mëparshme, kësaj here është vënë re një mobilizim më i madh i kësaj diaspore për të siguruar vend në parlament, ata sërish mbetën duarthatë.     

Se shqiptarët e Maqedonisë në shtete e Evropës perëndimore janë në numër dukshëm më të madh se maqedonasit, është më se e sigurt. Por, ku treti atëherë vota e tyre ose si ndodhi që të tre vendet e deputetëve të diasporës të fitoheshin nga kandidatët maqedonas?

albinfo.ch është përpjekur të marrë një përgjigje nga vetë kandidatët humbës, nga krijuesit e opinionit dhe nga përfaqësuesit e klerit, gjegjësisht imamët shqiptarë. Njëri faktor i humbjes, të cilin e përmendin të katër bashkëbiseduesit tanë është: manipulimi me listat e votuesve në ambasadat ku u zhvilluan zgjedhjet. Shumë votuesve potencialë shqiptarë, edhe pse të regjistruar, nuk u figuronin emrat në këto lista.

Për më tutje, ata kanë shpjegime që dallojnë nga njëri tjetri.

Ismail Beluli, afarist në Zvicër, ka kandiduar për herë të dytë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni për deputet nga diaspora. Nga rezultatet paraprake jo zyrtare, del se ai ka humbur zgjedhjet, duke fituar 2816 vota në njësinë zgjedhore në Evropë. Biznesmeni nga Gostivari  akuzon kundërkandidatin e tij shqiptar nga partia RDK e Rufi Osmanit për humbjen e zgjedhjeve në diasporë.

Në një prononcim  për albinfo.ch, kandidati nga radhët e BDI-së thekson se procesi zgjedhor në diasporë është shoqëruar me ankesa dhe obstruksione që i kishte bërë edhe partia në pushtet, VMRO-DPMNE Beluli thotë të jenë zhdukur emrat e zgjedhësve që kishin aplikuar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit.

„Kishte shumë votues që kishin ardhur nëpër ambasada ngase nuk ishin të informuar se nëse nuk kanë aplikuar për të votuar nuk mund të votojnë, po kishte edhe të tillë që erdhën dhe nuk e gjetën vetën në listat e votimit, edhe pse kishin aplikuar”, tha Beluli.

Beluli: 4 mijë aplikues, nuk figurojnë në listat e votimit!

Sipas të dhënave të partisë që e ka kandiduar Belulin janë deri 4 mijë votues që kanë aplikuar dhe nuk kanë figuruar në lista e votimit.

Po sipas të njëjtit burim vetëm në Ambasadën në Bernë rreth 400  votues nuk kanë votuar edhe pse kane qenë në listat e votuesve.

Kandidati i BDI-së thotë se do të kërkojnë përgjigje në Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe në shtabin e BDI-së që ishte përgjegjës për regjistrimin e votuesve të diasporës nëpërmjet viberit.

Ka edhe votues që nuk kanë dalë fare në votime. Nga 2800 zgjedhës sa ishin regjistruar në Zvicër, kanë dale vetëm 50 për qind prej tyre.

Kandidat i BDI-së fajëson edhe sistemin zgjedhor që sipas tij ka qenë kundërligjor ngase ka qenë në dispozicion vetëm një vendvotim, si për të votuar për president ashtu edhe për deputet të diasporës.

„Pritjet e gjata para ambasadave kanë demotivuar zgjedhësit që të presin për të realizuar të drejtën e tyre për të votuar”, thekson Beluli „Kundërkandidati shqiptar, Enver Osmani vetëm ka  përçarë votuesit dhe na ka penguar që të mobilizojmë shqiptarë në diasporë që të aplikojnë për votuar. Me përçarjen që ka bërë nëpër tubime zgjedhore në diasporë, ai ka ndikuar në rezultatin negativ të zgjedhjeve. Në këtë drejtim kishte edhe ofendime në adresë të BDI-së.  Partia e Rufi Osmanit ka bërë vetëm dëm në diasporë dhe hakmarrja i është kthyer boomerang, duke humbur zgjedhjet në vendlindje“, thotë Beluli.

Beluli thotë se partia e Rufi Osmanit e ka bërë këtë me qëllim, “që të fitojë më mirë VMRO-DPMNE se sa një kandidat shqiptar i BDI-së”.

“Unë i kam dëshmuar Rufi Osmanit edhe Enver Osmanit se kanë gabuar me përçarjen që i kanë bërë elektoratit shqiptar në diasporë dhe këtë më së miri e dëshmon rezultati i zgjedhjeve”, tha Beluli.

Osmani: Humbja nuk është vetëm rezultat i “votës së përçarë” 

Enver Osmani ka qenë kandidat për deputet në Parlamentin e Maqedonisë nga partia RDK. Humbjen e tij dhe të kandidatëve tjerë shqiptarë nga diaspora ai e sheh si rezultat të disa faktorëve.

“Në radhë të parë ka qenë mungesa e një numri të madh të emrave të votuesve shqiptarë në listat e votuesve të diasporës, edhe pse ata janë regjistruar me kohë. Shumë prej tyre që kishin marrë edhe rrugë të gjatë për të votuar në ambasadat e Maqedonisë janë ndarë të zhgënjyer”, thotë  Osmani. Ai nënvizon se ka qenë vetëm kreu i partisë së tij, Rufi Osmani që ka protestuar publikisht duke e adresuar  këtë problem. “Partitë tjera, mbase në vetëkënaqësinë e fitores, kanë heshtur”.

“Sigurisht që ka pasur edhe faktorë tjerë. Kur dihet se shqiptarët e Maqedonisë si mërgimtarë në shtetet e Evropës janë në numër shumë më të madh se sa maqedonasit ndërsa këta fitojnë më tepër vota, atëherë arsyen duhet parë edhe te mobilizimi i tyre më i madh dhe te ndihma e informimi që kanë gëzuar nga institucionet, gjegjësisht nga ambasadat në vendet përkatëse”, thotë Osmani.

Ai thekson se faktor po ashtu kufizues ka qenë koha e pamjaftueshme për të aplikuar  për listat e votimit (deri në fund të marsit, gjegjësisht vetëm 3 javë). Kjo ka bërë që shumë bashkatdhetarë të mos ishin sa duhet të informuar. Për pasoje, një numër i tyre kanë menduar se mjafton të kenë pasaportën dhe shtetësinë e Maqedonisë për të pasur të drejtë vote.

Sido që të jetë Enver Osmani e konsideron një përvojë të mirë kandidimin e tij për zgjedhjet në Maqedoni. Ai thotë se nga kjo fushatë ka mësuar se diaspora duhet të faktorizohet dhe të  ketë zërin e saj. Ndryshe nga realiteti në Maqedoni, ku gjithçka është e “partizuar”, këtu nevojitet angazhim për problemet konkrete që janë të njëjta dhe të përbashkëta për të gjithë mërgimtarët, pa dallim partie, shprehet Osmani.

Ndërsa për akuzat se me kandidimin e dy e më shumë kandidatëve shqiptarë nga diaspora është përçarë vota e shqiptarëve, ai ka këtë përgjigje: “rezultatet e publikuara tregojnë se tre kandidatët shqiptarë të marrë së bashku kanë fituar më pak se kandidati maqedonas. Nga kjo kuptojmë se edhe sikur të ishte vetëm një kandidat shqiptar, ai nuk do të mund të fitonte”, përfundon Enver Osmani.

Ismaili: Nëse nuk mënjanohen defektet, diaspora ftohet nga pjesëmarrja në zgjedhje 

Në fushatën për sensibilizimin e shqiptarëve të Maqedonisë për të votuar kanë qenë mjaft aktivë edhe imamët shqiptarë, gjegjësisht Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës.

Nehat Ismaili, kryetar i këtij unioni thotë se imamët dhe qendrat Islame Shqiptare në Zvicër kanë treguar angazhim të madh gjatë gjithë fushatës. 

“Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së institucioneve relevante për mobilizimin dhe informimin e gjerë të mërgatës shqiptare  përkitazi me rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Por, si kryetar i këtij Unioni unë shpreh pakënaqësinë time në lidhje me ecurinë dhe dinamikën e procesit votues, me ç`rast njerëzit kanë pritur deri nga 5 orë në këmbë për të votuar, çështje kjo e papranueshme”, thotë Ismaili.

Zhgënjimi bëhet edhe më i madh, shton ai kur dihet fakti që anëtarë të qendrave islame shqiptare kanë aplikuar dhe dorëzuar dokumentacionin e rregullt dhe “për çudi emrat e tyre nuk kanë figuruar në listat për votim. Ndërsa më e keqja ka qenë kur pas pritjeve të gjata pesë orëshe është dashur të ktheheshin të zhgënjyer”.

Si Union i Imamëve Shqiptarë në Zvicër apelojmë tek subjektet politike që ta zgjidhin këtë defekt me kohë sepse ekziston mundësia që në të ardhmen njerëzit të refuzojnë të dalin në votime”.

“Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka qenë dhe do të jetë çdo herë në shërbim të kauzës kombëtare dhe falënderon të gjithë shqiptarët  të cilët iu përgjigjën pozitivisht apelit për të votuar”, shprehet kryetari i Unionit, Nehat Ismaili.

Mërseli:  Mesazh refuzimi nga diaspora shqiptare

Analisti politik, Nebih Mërseli tha se dështimi i shqiptarëve për të zgjedhur deputetë për Parlamentin e Maqedonisë bie mbi ata që rrahën gjoks ngjashëm si me rastin e mobilizimit të Diasporës për zgjedhjen e kryetarit shqiptar për komunën e Kërçovës, vitin e kaluar.

“Ishte BDI-ja që pati tre kandidatë dhe, pavarësisht se emisarë të kësaj partie vizituan Evropën dhe SHBA-në, duke shpenzuar shuma të majme parash, që zotohej se do të ketë deputetë shqiptarë të Diasporës, kësaj radhe shqiptarët e Diasporës, që janë forca financiare e buxhetit të Maqedonisë, nuk deshën ta tradhtojnë veten. Ata, në njëfarë mënyre, u dërguan mesazhe politikanëve shqiptarë se nuk duan të participojnë në pushtetin legjislativ dhe me këtë të legjitimojnë politikën anti-shqiptare të VMRO-DPMNE-së. Sikur u dha porosia se Diaspora nuk vërsulet në prehër të Nikola Gruevskit, ashtu siç bëjnë eksponentët politikë shqiptarë”, thotë Nebih Mërseli.

Ai ka folur edhe për pengesat teknike që kanë hasur shqiptarët për të votuar në diasporë.

“Natyrisht se ka pasur pengesa teknike (madje vetëm për shqiptarët), por emisarët maqedonas të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të dërguar një muaj para zgjedhjeve në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike, kanë mobilizuar vetë diasporën maqedonase, duke i regjistruar ata dhe duke i udhëzuar për votim.
Ndoshta edhe emrat e kandidatëve shqiptarë nuk ishin bindës për Diasporën. Për këta kandidatë kemi dëgjuar për të parën herë, dhe, madje, as në Google nuk mund të gjenden emrat e tyre. Sidoqoftë, diaspora, pavarësisht këtij rezultati dështues, vazhdon të jetë zemra e shqiptarëve të Maqedonisë”, thotë Nebi Mërseli.

Exit mobile version