Site icon PORTALB

Letër shpirtit tim!

Rrezearta Reka

Rrezearta Reka

Po të ishte trupi këmishë, e t’a fërkoja deri në rrjepje, të paqtë pëlhurën, e t’a shihja gjakun rrëke, prej zemrës, tek më lanë e m’i fshin të këqijat! Po të mbyllja sytë, i thashë vetes, dhe të shtrëngoja dhëmbët! Të qoje shpirtin në udhëtim përtej dhomës së pistë me kundërmim të djerrsës së tërbuar.

Po të kalonte… do të shëtisja lugut të blertë para shtëpisë ku jetoja dikur. Do të shikoja fëmijët tek rendnin pas fluturave në lojë. Do prisja burrin me buzën në gaz dhe mysafirët në odë s’do hiqnin sytë nga unë! Po të kisha tjetër gjë a asgjë midis këmbëve, të vritesha gjakftohtësisht, të hidhesha në një gropë, për t’u rivarrosur dikur, në një kohë më të mirë, e eshtrat të m’i përkëdhelnin të dashurit, si hero! Po të më linin djalin në prehër, mos të ma shkulnin me gjithë shpirt, e të shihja jetën e tij në lulëzim, dhe timën, punë e madhe, në fikje!

Po të isha tokë e arë që se qet dot frytin kur nuk mbillet me mirësi, e të mos ngjizja turpin, për t’a bërë copë copë pastaj në klinikat e heshtura, midis dënesjes! Po të mund të grryeja vetën deri në varrë, bosh, me gjithë këto dy gropa të pashpresa prej syri! Të më lëshonte toka, pa ditur kush për mua!

Po të vdisja mu tani, e të dëgjoja këndshëm dheun tek më bjen përmbi, si rrapëllima e derës që i mbyllet mysafirit të paftuar, për të fundën herë! Po të pushoja në në një kodër ku nuk shkel dot këmbë njeriu, se s’ju pash dot hajrin, dhe ku gonxhe të egra do të lulëzonin, e në gurin e varrit, krenar jo si unë, lirshëm do të shkruhej: Këtu pushon shpirti i një gruaje të dhunuar!

Kushtuar grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Exit mobile version