Site icon PORTALB

Kosovë, prezantohet misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian (BE), Alojz Peterle, në një konferencë shtypi prezantoi misionin vëzhgues nga BE për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 qershor 2017 në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Misioni për Vëzhgim të Zgjedhjeve nga BE-ja, mandati i të cilit është të vëzhgojë të gjitha aspektet e procesit zgjedhor dhe të vlerësojë pajtueshmërinë e këtyre zgjedhjeve me ligjin e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për zgjedhje, do të përbëhet nga rreth 100 vëzhguesve nga shtetet e ndryshme anëtare të BE-së bashkë me Norvegjinë dhe Zvicrën.

Një grup prej tetë analistë do të mbuloj çështjet zgjedhore, ligjore dhe mediale, 16 vëzhgues afatgjatë do të dërgohen nëpër komunat e ndryshme të Kosovë dhe me afrimin e datës së zgjedhjeve këtyre do t’iu bashkohen edhe 32 vëzhgues afatshkurtër. Kurse në ditën e zgjedhjeve këtij grupi do t’i bashkohet edhe delegacioni nga Parlamenti Evropian dhe një grup i vëzhguesve afatshkurtër të angazhuar individualisht nga përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së.

Peterle në fillim të fjalës së tij theksoi se kanë marrë ftesën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ta vëzhguar këtë proces, që sipas tij është një reflektim i partneritetit të afërt mes BE-së dhe Kosovës.

Ai tha se të gjithë votuesit qofshin pjesëtar të komunitetit shumicë apo komuniteteve jo-shumicë të Kosovës do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike që nënkupton mund të regjistrohen dhe të votojnë në afat të caktuar brenda apo jashtë Kosovës.

Sa i përket subjekteve politike Peterle tha se të gjitha partitë politike duhet të jenë të lira të bëjnë fushatë dhe t’i informojnë votuesit lidhur me programet e tyre, me një akses të barabartë në media dhe në hapësira publike.

“Aktorët politik po ashtu duhet të distancohen nga gjuha nxitëse gjatë fushatës së tyre duke i promovuar platformat e tyre pa nxitur dhunë apo urrejtje”, tha Peterle.

Peterle theksoi se misioni do t’i publikojë konkluzionet në një konferencë për shtyp dy ditë pas zgjedhjeve, më datën 13 qershor 2017 dhe një raport final i cili përfshin rekomandimet për zgjedhjet në të ardhmen do të publikohet dy muaj pas zgjedhjeve.

Ndryshe, më 10 maj Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë të formuar nga koalicioni PDK-LDK- Lista Serbe, pro të cilit kishin votuar partitë opozitare AAK, NISMA, Lëvizja Vetëvendosje si dhe partia e koalicionit qeverisës PDK-ja. Me këtë votim u rrëzua Qeveria e Kosovës dhe më 11 qershor vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Exit mobile version