Site icon PORTALB

Arsimi, sa e sa projekte të pazbatuara

Reforma të pazbatuara

Reforma të pazbatuara

Qeveria e Maqedonisë, tani më e shpërbërë i ka vlerësuar lartë arritjet në reformat në arsim me projektet e ndryshme si:“E-Matura”,“E-Regjistra”,“Kontrollim të njohurive të nxënësve në mënyrë elektronike” dhe shumë projekte të tjera.

Sipas qeverisë,kriteriet e reformave në arsim të kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE) janë plotësisht të plotësuara.Megjithatë arsimit në Maqedoni i mungojnë kushtet bazë për një zhvillim normal të procesit mësimor të paraparë sipas standarteve evropiane si:Mungesa e objekteve shkollore në shumë zona të vendit, objekte që presin vite me rradhë të riparohen, çerdhe të pakta për fëmijë, mungesë e kabineteve/laboratorëve nëpër shkolla të mesme,mungesë e sistemeve të ngrohjes gjatë stinës së dimrit, probleme të shumta me tekstet shkollore sidomos ato në gjuhën shqipe, kuadër zero për burime njerëzore,paga shumë të ulta për mësimdhënësit, dhe në fund, shumë probleme të tjera të cilat  në fakt janë premtuar se do të zgjidhjen nga ish- qeveritë dhe liderët.

Nxënësit mësojnë në kushte mizore

Komisioni Evropian (KE) në raportin e fundit për Maqedoninë (2013) e kritikoi qeverinë se ka shfrytëzuar buxhetin publik për qëllime më pak produktive si zbukurime për kryeqytetin.

Një trend tani më shumë i njohur për vendin tonë,është fakti që gjatë fushatave zgjedhore vendosen gurrë-themele për ndërtimimin e shkollave të mesme apo çerdheve për fëmijë.Një rast i këtillë është vërejtur shumë shpesh në Komunën e Sarajit, ku disa herë politikanët kanë ‘kremtuar’ fillimin e punimeve.Në të vërtetë, deri sot,akoma nuk është përfunduar asnjë objekt shkollorë. Komuna e Sarajit edhe pas shumë premtimeve vazhdon të mbetet pa shkollë të mesme për nxënësit dhe pa çerdhe për fëmijët e tyre.

Përvëç mungesës së ambienteve arsimore, nxënësit në Maqedoni të të gjitha kategorive shpesh herë kanë qenë dëshmitarë të kushteve jo adekuate.Të dy rastet e fundit në gjimnazin e Tetovës, tregojnë për gjendjen akute të shkollave në të cilat mësojnë nxënësit.Përshkak të vjetërisë së objektit,kulmi ishte shembur gjatë zhvilllimit të procesit mësimorë.Pas rastit të dytë, nxënësit e paraleleve maqedonase dolën në protesta para Komunës së Tetovës,duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi.

Për sa i përket kualitetit arsimor, sipas raportit të fundit të KE-së,vendi vazhdon t’i përmirësojë arritjet në zonat ku standardet e përcaktuara në nivel të BE –së kërkohen deri më vitin 2020.Një ndër programet e sukseshme si pjesë e strategjisë mësimore të BE-së, ka qenë “Programi Tempus” me kohëzgjatje nga viti 2007-2013.

Fatos Veliu,student që ka vijuar studimet nëpërmjet “Programit Tempus”, shprehet për Inbox7 se është për të ardhur keq se programi ka përfunduar.Sipas tij ka qenë një rast i shkëlqyer të mësohet nga profesorë të ndryshëm dhe në gjuhë të huaj.

“Do të ishte shumë mirë sikur ky program të vazhdojnë të ofrohet edhe në të ardhmen për studentët tjerë, sepse është një eksperiencë shumë e mirë”, thotë Veliu.

Me përfundimin e programit “Tempus”gjatë vitit 2014, Agjencia Kombëtare e Programeve Arsimore dhe e Mobilitetit, në emër të KE-së, ka filluar në mënyrë indirekte të drejtojë programin e ri për arsim të  titulluar “Erasmus Plus”

Sipas drejtorit të agjencisë, Darko Dimitrov, Republika e Maqedonisë, është aktive në këtë program dhe më mjaft sukses përpiqet t’i zbatojë planet që dalin nga ky program i rekomanduar nga BE.Megjithatë kualiteti i arsimit lokal mbetet i padefinuar dhe me këtë, vihet në pikëpyetje dhe funksionimi i drejtë i procesit të Bolonjës nëpër universitete.

Vlerësime jo reale të kualitetit arsimor në Maqedoni

Martin Galevski ekspert për arsim të lartë, thotë për Inbox 7 se Maqedonia nuk është anëtare e BE-së,dhe rrjedhimisht nuk ka vlerësime të realta të matjes së kualitetit arsimor nga organizatat ndërkombëtare. Galevski sqaron se BE ka lejuar një interpretim të lirë të dimensionit evropian,duke lejuar që vendim-marrësit kryesisht(Parlamenti Qeveria dhe Ministria e Arsimit) t’i çojnë përpara reformat dhe t’i kënaqin vetëm preferencat dhe oreksin e brendshëm. Galevski thotë se Maqedonisë i mungon një analizë e plotë efekteve se sa zbatohet procesi i Bolonjës, por gjithsesi shton se “pakënaqësia më e madhe për zbatimin e reformave të Bolonjës buron pikërisht nga ndërhyrjet kozmetike në fushën e promovimit të dimensionit evropian  të arsimit të lartë në Maqedoni”.

Është shumë e rëndësishme të ceket fakti se Maqedonia ka shumë probleme të mëdha në sferën e raporteve ndër-etnike.Incidente të shumta ndodhin në mes nxënësve maqedonas dhe shqiptar nëpër shkolla anë e mbanë vendit.Një vërejtje e këtillë, është theksuar në raportin e fundit të KE-së ku thuhet:“Nevojitet të alokohen mjete shtetërore për zbatimin e strategjisë për arsim të integruar, sepse vazhdon tendenca e ndarjes në linja etnike në shkolla, si dhe incidentet me dhunë ndëretnike”.

Programi i qeverisë së Maqedonisë parasheh me qindra projekte që do të përmirsojnë gjendjen e arsimit në Maqedoni.Partitë që kanë qënë pjesë e pushtetit, pretenduan se kriteret e reformave në arsim të kërkuara nga BE janë plotësisht të plotësuara.Qeveria e re e cila pritet të formohet në maj duhet të vazhdojë t’i implementojë këto projekte dhe të përmirsojë situatën nëpër të gjitha shkollat dhe vendbanimet.

Orhan Ceka, Inbox 7

Exit mobile version