Site icon PORTALB

NUR

Të frytshme për punë dhe shkrime janë këto ditë me shi, ashtu si ditët e Ramazanit…atëherë pauzat janë më të shkurtra, nuk të dilet gjithaq në qytet, ose në rastin e dytë punon pa pauza duhani…si studente për shembull provimet më tersene i përgatisja në barakën e bibliotekës tek xhamia e Isa begut në Bit-pazar prej ku dilja pak para iftarit në rrugët e boshatisura të pjesëve shqiptare të qytetit…

E thoshte edhe tezaku Ilir se kërkimet shkencore që lypin më shumë përqëndrim i bën në kohë të agjërimit. Matematikani më i spikatur shqiptar Ilir Snopçe (1980) vjen për pushime në fillimmaj, i numëroj ditët dhe vështirë të gjej fjalë se sa më ka marrë malli. Posa t’i kalojë pak lodhja nga rruga prej Rio de Janeiros do shkoj vrapimthi në Gostivar, bujshëm disa ditë, e kemi ritual. Në ato ditë që kalojmë bashkë kur posa vjen nga larg dhe kur afrohet koha të niset prap në botën normale ku vlerësohet Mendja dhe Puna, kënaqem së dëgjuari se si flet me kompetencë dhe modesti – se vetia e parë shkon me të dytën, sigurisht e keni vërejtur, kurse çallëmi është mburojë për boshllëkun e dijes dhe edukatës. Një pjesë të kohës që kalojmë bashkë i rikthehemi fëmijërisë, shumë kujtime nga koha kur jetoheshte me zijarete, afërsi miqësore e farefisërore; celularët, Facebook dhe dushmanët tjerë të komunikimit erdhën më pastaj. 

Pjesën më të madhe të kohës kam qejf ta dëgjoj pa e ndërprerë se Iliri rrëfen për pasionin për shkencë në mënyrën që nuk kam pasur rastin ta dëgjoj nga tjetërkush këtu, mandej tregon përshtypjet anegdotike për fituesit e çmimeve Nobël për ekonomi, mjekësi, etj, tregon se si janë privatisht disa shokë të tij fitues të medaljes së Fildsit që është në rangun e çmimit Nobel për matematikë (pasi çmimi Nobel nuk ndahet për matematikë), emëruar sipas shkencëtarit kanadez Xhon Çarls Filds, fitues i disa medaljeve të arta për matematikë që nga shkolla e mesme, i cili në Kongresin Ndërkombëtar të matematikës në Toronto më 1924 propozon që çdo katër vjet të ndahen çmime për një apo më shumë matematikanë të moshës deri 40 vjeçare. Në Universitetin shtetëror të Rio de Janeiros Iliri ka disa kolegë fitues të kësaj medalje dhe rrëfen se secili prej tyre dhe në përgjithësi secili nga të zhyturit thellë në shkencë që punojnë nga 10-15 orë në ditë kanë nga ndonjë hobi që ua pushon trupin dhe trurin nga ky orar, mandej shumica janë tipa familjarë që përmbushin obligimet ndaj fëmijëve me aq sa munden, e kanë qejf shoqërimin por ama të dozuar se ndryshe nuk do ishin ajo çka kanë arritur të jenë. 

Uzunun kisasi: nga bisedimet me Snopçen që i njeh nga afër shkencëtarët e spikatur pasi vetë bën pjesë në ato rrethe të të zgjedhurve del se vetëm pak prej tyre janë ashtu të humbur siq i paramendojmë…unë më së tepërmi kënaqem kur Iliri portretizon ndonjë nga të Humburit, plotësisht të kredhur në botën e vet të punës dhe rezultateve, për shembull si Xhon Nesh, protagonist i filmit Beautiful Mind me të cilin ishin takuar në Harvard, “…është ithtar i flaktë i Obamës” më shkruante veç tjerash Iliri në një email të fundvitit 2009: kishin qenë afër afër në një drekë me heroin e filmit që e kam shikuar disa herë, siq bëj zakonisht me filmat në të cilët bie në dashuri në shikim të parë. Dhe paramendoni sa herë e kam lexuar letrën ku tezaku m’a sjellte të afërt, njerëzor dhe të realtë Xhon Neshin e adhuruar. 

I ruaj të gjitha letrat e Ilirit.
Se ai një ditë, një ditë që nuk është e largët do jetë i famshëm të paktën aq sa ata me të cilët bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta ndërkombëtare dhe shoqërohen në kohë të lirë…dhe kur ai të fitojë famën e merituar, unë me kismet do bëj buxhet nga publikimi i letërshkëmbimit të gjatë me tezakun për të cilin mundem të shkruaj gjaatë, tash nga gëzimi që vjen, nga malli që nuk e kam parë thuaja një vjet.

Kushedi sa i zënë të jetë me punë, ligjërime, kërkime dhe udhëtime profesionale, ai çdo vjet vjen për pushime, para së gjithash për nënën Ferhunden, mandej për far e fisin ku është yll, për atdheun ma merr mendja…
Dhe kur vjen gjen kohë për të takuar të gjithë nga familja e nga rrethi miqësor që presin me mall ta shohin. Bile një pjesë e familjarëve deklarohen se më shpesh e takojnë Ilirin se sa disa kushërinj tjerë që jetojnë këtu, ama demek janë shumë të zënë me punë, qesharake.
Iliri nuk bën “fora” se është shumë busy, anise nuk e çon kot as edhe minutën.
Në mbrëmje ulet para laptopit, kryen komunikimet me botën e vet shkencore nga e cila nuk shkëputet as edhe në ditë pushime, vazhdon kërkimet e nisura në Brazil, një nga shtetet me investime marramendëse në sferën e shkencës.
Unë i ulem afër për të marrë pak nga energjia e tij (e them pa tepri): kolosale dhe kënaqem së shikuari si shkruan dhe si rrezaton. 

Më motivon si askush që të punoj më tepër dhe gjatë kësaj të mos ndjej lodhje, as bezdi, respektivisht ta shoh punën si motiv kryesor të mirëqenies se “puna është ibadet” thotë shpesh Iliri.
Ai është jo vetëm njohës dhe interpretues i shkëlqyer i fesë islame, por edhe ndër predikuesit e rrallë të fesë që jetojnë konform Rregullave për të cilët flasin (apo për të cilët mbajnë derse) ndërkohë që nuk e kanë problem fare të lëndojnë njerëz, të thyejnë parime të shenjta, të bëjnë mashtrime të vogla e të mëdha, jo vetëm në të holla kuptohet. 
Ja edhe një fotografi që shpesh më del parasysh kur malli për tezakun më merr shumë: me afro 200 cm në trupin e sajuar me bodibilding drejtohet kah Kibla për të falur vaktin e rradhës dhe fytyra në atë moment i duket tamam Nur, Nur i rrallë.

Ilirçe i dashur, ja e sheh edhe këtu, edhe të kujtohet prej herave tjerave: mesi, mezi pres të vish!!

 

Exit mobile version