Site icon PORTALB

Kerry: Rusia të lirojë vëzhguesit e OSBE

John Kerry

John Kerry

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë thirrje ndaj Rusisë që të bëjë “gjithçka mundet” për të ndihmuar në lirimin e vëzhguesve ushtarakë europianë, të marrë peng në Ukrainën lindore.

Në një telefonatë me homologun e tij rus, Kerry shprehu gjithashtu shqetësimin rreth “lëvizjes provokative të trupave ruse” pranë kufirit me Ukrainën.

Milicia pro-ruse vazhdon të mbajë të pushtuara ndërtesat zyrtare në dhjetra qytete lindore të vendit, duke sfiduar qeverinë e Kievit. Diplomatët e BE-së priten të takohen ditën e hënë për sanksionet e reja kundër Rusisë.

Grupi G7 i superfuqive ekonomike të botës ka rënë dakord gjithashtu për të intensifikuar sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të krizës në Ukrainë.

Duke folur nga një vizitë e tij në Malajzi, ditën e diel, presidenti amerikan Barack Obama theksoi se është e domosdoshme të ndërmerren hapa të mëtejshme për t’i dërguar “një mesazh” Moskës, se veprimet e saj destabilizuese në Ukrainën lindore duhet të ndalen.

Por, Obama bëri të ditur gjithashtu se ende ka mundësi “për një zgjidhje në rrugë diplomatike” të krizës.

Perëndimi akuzon Moskën se udhëheq revolën separatiste në lindje të Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë gjatë muajit të kaluar. Ndërkohë, Rusia e mohon kategorikisht këtë akuzë.

Rusia, nga ana e saj, bëri të ditur të shtunën se “do të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshme” për të siguruar lirimin e 8 vëzhguesve nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), të cilët u morën peng dhe akuzohen për spiunazh nga të armatosur pro-rusë.

Grupi, i cili besohet të jetë i përbërë nga vëzhgues ushtarakë nga Gjermania, Danimarka, Polonia, Suedia dhe Çekia, mbahet ende peng së bashku me një personel ushtarak ukrainas, në qytetin e Sloviansk-ut.

Pengmarrësit e vëzhguesve kanë thënë se ata do të lirohen vetëm në këmbim të të burgosurve, që mbahen aktualisht nga forcat ukrainase. Gjithsesi, Kievi ka bërë të ditur se ata po përdoren si “mburoja njerëzore”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kerry “shprehu shqetësimin e vazhdueshëm se lëvizjet provokative të trupave rusë në kufirin me Ukrainën, mbështetja e Moskës për separatistët dhe retorika e zjarrtë e saj janë duke minuar stabilitetin, sigurinë dhe unitetin në Ukrainë”.

Kerry “nxiti gjithashtu mbështetjen e Rusisë, pa kushte, për përpjekjet e OSBE-së dhe të qeverisë së Ukrainës për të liruar inspektorët dhe udhëheqësit ukrainas të tyre”, shtohej në deklaratën e DASH./TCH/

Exit mobile version