Site icon PORTALB

Basha: Shtetin e ka kapur krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Punimet në seancën plenare të një dite më parë dhe vendimet e marra në të prej mazhorancës së majtë, ishin në qendër të konferencës për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasditen e sotme. 

Ashtu si në foltoren e parlamentit, kur ish-kryeministri Sali Berisha tërthorazi komunikoi qëndrimin e ri të demokratëve karshi komisionit hetimor për akuzat e trafikut të drogës duke përdorur strukturat e Forcave të Armatosura, edhe sot Basha bëri thirrje për nisjen e punës së komisionit, punë që sipas tij më pas duhet të vazhdojë në instancat e tjera hetimore. 

“Shtetin e ka kapur krimi. Tani e kanë të qartë të gjithë shqiptarët që informacioni është shumë serioz, informacioni nga shërbimet e specializuara që paguhen për këtë punë dhe dëshmitë e qytetarëve të thjeshtë, e kanë të qartë shqiptarët që ky informacion nuk mund të neglizhohet, nuk mund të mbahet sekret. Askush prej shqiptarëve nuk qeshi për ta quajtur këtë si lojë me mushkonja dhe aeroplanë me letra. Le të fillojë menjëherë hetimi parlamentar për të vijuar më pas në instanca të tjera. Ky skandal ka tronditur mbarë opinionin publik dhe partnerët tanë gjithashtu”, tha Basha. 

Më tej kreu i demokratëve u ndal tek vendimi i mazhorancës për heqjen e kompetencës së Presidentit të Republikës për propozimin e kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe kalimit të kësaj kompetence në duart e Kuvendit, duke e cilësuar atë si një përpjekje nga ana e mazhorancës për të goditur kundërshtarët. 

Një tjetër përplasje e madhe mes mazhorancës dhe opozitës është edhe reforma administrativo-territoriale. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për refuzimin e konsensusit. Të enjten mazhoranca ndryshoi formatin e komisionit të ngritur për këtë reformë, pas refuzimit të opozitës për t’iu bashkuar propozimit të mëhershëm./ Shekulli

Exit mobile version