Site icon PORTALB

Ahmeti: Nuk ka asnjë arsye që të mbështes kandidatët e partive tjera

Kryetari Ahmeti takon Ambasadoren Gjermane

Kryetari Ahmeti takon Ambasadoren Gjermane

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë Ambasadoren e Gjermanisë në Maqedoni, Gudrum Shtajnaker. 

Ambasadorja gjermane shprehu interesim rreth zgjedhjeve parlamentare dhe ato presidenciale si dhe zhvillimeve politike në vend dhe reformave që nevojiten për të plotësuar standardet e Bashkimit Evropian (BE). 

Ahmeti siguroi Ambasadoren gjermane për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 27 prill si dhe shprehu bindjen për fitoren bindëse të BDI-së. Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, Ahmeti ka theksuar se BDI nuk ka kandidat të vetin dhe nuk ka asnjë arsye që të mbështes kandidatët e partive tjera dhe t’i ftojë votuesit e vet që të votojnë për parti tjera. 

“BDI do të vazhdojë të promovojë idenë e konsensualitetit që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe që mundëson pajtim dhe afrim midis komuniteteve”, ka thënë Ahmeti. 

Në lidhje me reformat e nevojitur në gjyqësor, liri të mediave, luftë kundër korrupsionit dhe të tjerave, Ahmeti ka nënvizuar gatishmërinë e BDI-së që në partneritet me komunitetin ndërkombëtar të realizojë të gjitha reformat, por ftoi miqtë ndërkombëtar që të përqendrohen më tepër në zgjidhjen e çështjes së emrit si pengesa më serioze që pengon integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. 

Pikërisht, sipas tij, integrimi euroatlantik do të jetë kryefjala e veprimit politik të BDI në qeverinë e re pas 27 prillit dhe pas marrjes së legjitimitetit të plotë nga populli shqiptar në zgjedhjet e së dielës. 

Për ta realizuar këtë synim të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, na duhet një bashkëpunim i afërt dhe i ngushtë me komunitetin ndërkombëtar dhe Ahmeti ftoi Berlinin zyrtar që të angazhohet drejtpërdrejt në zgjidhjen e kontestit me emrin.

Exit mobile version