Zaev: Ahmeti mban përgjegjësi për situatën në shtet

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ka theksuar se me kreun e BDI-së Ali Ahmeti deri tani ka realizuar vetëm një takim, edhe atë në fund të verës së kaluar, ndërsa thekson se edhe ai mban përgjegjësi për situatën në shtet, pasi është pjesë e koalicionit qeveritar. 

“Ali Ahmeti është lider i partisë politike që është pjesë e koalicionit qeveritar. Ai dhe partia e tij, gjithashtu mbajnë tërë përgjegjësinë për gjendjet në shtet, jo vetëm para votuesve të BDI-së, por edhe para tërë elektoratit të Maqedonisë. 

Ali Ahmeti dhe udhëheqësia e BDI-së, pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve do të duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve. 

A është standard evropian t’u ndalohet votuesve të votojnë? Në një shtet në të cilin mbisundon demokracia elementare, a ekziston shembull ku partia në pushtet, nga radhët e të cilëve është Ministri i Drejtësisë, njëra nga partitë organizuese të zgjedhjeve, të bojkotojë të njëjtat ato zgjedhje?

Bojkoton jo vetëm në rrethin e parë, por kanoset se do të bojkotojë edhe rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. A thua partia që përherë thotë se prioritet është anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, guxon të lejojë të bën shantazhime, frikësime të qytetarëve?! Në cilin shtet evropian ka shembull të këtillë? 

Unë me Ali Ahmetin kisha vetëm një takim në fund të verës dhe prej atëherë e deri më tani nuk jam takuar dhe nuk kam biseduar. Atëherë, Ali Ahmeti thoshte se BDI është parti që vetëm ka për interes integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Çka ndodhi prej atëherë e deri më tani, ai duhet të përgjigjet”, ka thënë Zaev në intervistën për “Slloboden peçat”. 

Z. Zaev, ndoshta edhe ju duhet të mësoni nga Ahmeti. Konkretisht për marrëdhëniet me diplomatët e huaj. Ata thonë – nuk përmbajmë bojkot të zgjedhjeve. Ahmeti u thotë – mirë, nuk prishim ne zgjedhjet, por kandidatët nuk janë “konsensual” dhe për këtë ftojmë shqiptarët të mos votojnë. Edhe të huajt pastaj e pranojnë si diçka normale? A nuk është koha që edhe LSDM të rreshtohet në pozitë pak më radikale dhe të luajë më ashpër edhe para faktorit ndërkombëtar? 

“Nuk është në pyetje qëndrimi i LSDM-së. Ndërkombëtarët, posaçërisht vendet mike me shtetin tonë, në të gjitha vitet e mëvetësimit të Maqedonisë, treguan përkrahjen dhe ndihmën e tyre pa rezervë, çdoherë kur shteti ynë ka qenë në vështirësi. 

Ata duhet të kuptojnë se edhe tani qytetarët e Maqedonisë janë në pozitë të vështirë nën sundimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm, që tetë vite kujdeset vetëm për interesat e veta. 

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë nga komuniteti ndërkombëtar, përveç me fjalë reale të përshkruajnë dhe të karakterizojnë këtë që po ndodh në Maqedoni dhe atë që përfaqësuesit e tyre këtu tek ne e shohin”, ka thënë Zaev.

Lajme të ngjashme

Back to top button