Një automjet është drejtuar me shpejtësi në sheshin “Times Square” të Nju Jorkut, duke lënë të paktën 13 persona të plagosur, sipas raportimeve fillestare të dëshmitarëve, transmeton Top Channel.
Departamenti i Policisë së qytetit të Nju Jorkut rrethoi menjëherë zonën, mesditën e kësaj të enjteje me orën lokale, ndërsa mes këmbësorëve thuhet se ka edhe një viktimë.
Aksidenti ka ndodhur pranë selisë së agjencisë së lajmeve “Reuters”. Një reporter i saj shkroi në “Twitter” se ndërtesa mediatike është mbyllur përkohësisht.
Të plagosurit i thanë gazetarëve të “Reuters” në vendngjarje se veprimet e drejtuesit të mjetit dukeshin “të qëllimshme”. Vet agjencia e lajmeve raporton për një të vdekur, ndërsa ngjarja është ende në zhvillim.
Rrjeti televiziv amerikan, “CBS News” raporton se automjeti ishte një sedan i kuq dhe se shoferi është nxjerrë prej tij dhe është dërguar në rajon për t’u marrë në pyetje nga efektivët e policisë.
Gjithsesi, mediet amerikane citojnë autoritetet lokale të kenë thënë se ngjarja nuk ka lidhje me terrorizmin.