Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku tha para Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Kosova është e lodhur nga standardet e dyfishta në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, transmeton REL.
“Përderisa jemi dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar në dialog, jemi të lodhur nga standardet e dyfishta”.
“Në njërën anë, Serbia vjen dhe na thotë se janë për paqe dhe pajtim, ndërsa në anën tjetër ata keqpërdorin për çdo ditë Interpolin dhe urdhëresat e deponuara kundër luftëtarëve të lirisë. Si duket ka një model të vjetër të brutalitetit që është e shoqëruar me burokraci të ngathët”, tha Çitaku.
Si pasojë e kësaj burokracie, tha Çitaku, ndodhi edhe ndalimi i ish-kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.
“Ajo çfarë ndodhi ndaj zotit Haradinaj flet shumë për gjendjen e mendësisë që akoma mbizotëron në Serbi”, u shpreh ambasadorja Çitaku.
Sipas Çitakut, Serbia e di se “e ka humbur betejën në Kosovë.
“Serbia e di shumë mirë që e ka humbur betejën në Kosovë. Në aspektin ushtarak, e ka humbur betejën në vitin 1999. Politikisht e kanë humbur më 2008 dhe ndërkombtarisht dhe juridikisht e kanë humbur më 2009 me vendimin e GJND-së”, tha ajo.
Duke folur për pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadorja e Kosovës, tha se një gjë e tillë mund të ndodhë, vetëm kur Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës.
“Për të ndodhur pajtimi si i tillë, Serbia duhet ta pranojë Kosovën si të barabartë dhe ta pranojë si shtet dhe gjithashtu duhet të pranojë përgjegjësinë që bartë”, u shpreh Çitaku.