Site icon PORTALB

Atletico – Chelsea, duel taktikash

Sfidë e fortë do të jetë dueli Atletico - Chelsea

Sfidë e fortë do të jetë dueli Atletico - Chelsea

Që të vihen dy skuadra pothuajse identike përballë njëra – tjetrës në një garë si Champions League është diçka vërtet që ndodh rrallë, por duket se është pikërisht ky rasti për dy ekipe si Atletico Madrid dhe Chelsea, që do të masin forcat në gjysmëfinalen e vajtjes, takim që çel njëkohësisht edhe këtë fazë tepër të rëndësishme të kupës më të lavdishme në kontinent. 

Në “Vicente Calderon” bardhekuqtë të përkrahur nga tifozeria e tyre e zjarrtë do të bëjnë çmos për të marrë një rezultat pozitiv, që t’iu mundësojë më pas një kthim sa më të qetë në “Stamford Bridge”. 

Para së gjithash Atletico meriton respekt për sezonin e madh që ka zhvilluar deri më tani, por mbi të gjitha edhe për faktin se përbën njëherësh edhe skuadrën e vetme deri në këtë pikë të sezonit që nuk njeh humbje në Champions. Pasi dominoi grupin ekipi i Diego Simeones eliminoi një e nga një klube të tillë si Milan e Barcelona, duke treguar gjithmonë një shpirt të lartë gare. 

Thamë që dy skuadrat ngjasojnë së tepërmi për nga stili dhe ndoshta vetë argjentinasi është idhtar i flaktë i Jose Mourinhos, megjithatë deri tani ekipi që ai drejton e ka interpretuar këtë mënyrë loje akoma më mirë edhe sesa vetë portugezi duke pësuar vetëm 5 gola në 10 takime. 

Në krahun tjetër qëndron Chelsea i Jose Mourinhos që këtë sezon ka sërish shansin për t’u bërë i pari trajner në histori që fiton këtë kompeticion me tre skuadra të ndryshme. Ndoshta janë të paktë ata që kishin parashikuar praninë e klubit londinez deri në këtë fazë, sidoqoftë falë një goli në fund të ndeshjes së kthimit blutë përmbysën disavantazhin e dy golave duke nxjerrë jashtë Evropës Paris SG. 

Me tre humbje në 6 sfidat e fundit Chelsea po tregon shumë luhatje por gabimi më i rëndë në këtë sport ndoshta është të nënvleftësosh një si Mourinho. Goli që pësoi në fundjavë me Sunderlandin ishte i pari pas 840’ për londinezët në “Stamford Bridge”, dhe macet e zeza në atë takim i dhanë fund pathyeshmërisë së Mourinhos që zgjaste prej 77 ndeshjesh në tempullin e klubit, pra kuptohet që ekipi spanjoll e ka shumë mirë të qartë që në kryeqytetin britanik blutë i vënë drynin portës. 

Me shumë gjasa Champions League përfaqëson shansin më të mirë që Chelsea ka për të ngritur trofe gjatë këtij sezoni dhe rrallëherë ndodh që londinezët të gabojnë në dy ndeshje rresht. Natyrisht që nuk ka vend për krahasime mes tyre por 51-vjeçari luzitan në ndryshim nga argjentinasi e karikon ekipin gjatë gjithë javës dhe më pas preferon të qëndrojë i ulur në stol.

Ndeshja paraprakisht nuk pritet të ofrojë spektakël apo shumë gola dhe në letër duket si ndeshje shahu mes Diego Simeones e Jose Mourinhos, gjithsesi në orën 20:45 një pjesë të mirë të presionit do ta ketë mbi supe gjyqtari kryesor. UEFA i ka dhënë besim arbitrit suedez Jonas Eriksson. 40-vjeçari i cili është gjyqtar i FIFA-s që nga viti 2002 ka drejtuar 5 takime në këtë edicion të Championsit. 
Eriksson shkëlqeu në sfidën e kthimit Bayern – Manchester United, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ndeshjet Ajax – Milan ku shpiku një 11-metërsh për Milanin që më pas rezultoi fatal për ekipin e De Boer, si dhe Manchester City – Barcelona ku përsëri gjykimi i tij pati kontestime.

Exit mobile version