Kur fëmijët fillojnë të qajnë dhe bërtasin, prindërit nuk ndjehen mirë dhe nuk dinë se si të reagojnë.
Sa herë keni parë fëmijë duke qarë në vende publike, ndërsa prindërit e tij të mos reagojnë dhe të vazhdojnë të bisedojnë me miqtë, të pinë kafe ose të flasin me telefon. Ekspertët thonë se një gjë e tillë fillimisht është e pakulturë, ndërsa më pas edhe gjest i keq.
Jo vetëm se i irriton kalimtarët, i nevrikos mysafirët në kafiteri ose në ndonjë vend tjetër, por edhe tregon se nëna dhe babai janë shumë të painteresuar për fëmijën e tyre. Psikologët vlerësojnë se në vend të injorimit të të qarave dhe bërtitjes, fillimisht duhet pyetur fëmijën nëse i dhemb diku ose nëse është i uritur ose i etur…
Nëse problemi qëndron aty se nuk është plotësuar ndonjë dëshirë, atëherë prindërit duhet t’i shpjegojnë se nuk është mirë të bërtasë në vende publike, derisa të gjithë e shikojnë. Nëse lotët edhe më tej rrjedhin edhe atë pa arsye, është e udhës ta largoni që atje dhe të flisni vetëm diku, pa “publik” dhe t’ia bëni me dije se sjelljen e tillë të pahijshme nuk do ta toleroni.