Site icon PORTALB

Çfarë fsheh lista zgjedhore, pse nuk mund ti besojmë?

Foto ilustrim

Foto ilustrim

12 vite të plota pas Regjistrimit të fundit të popullsisë dhe të amvisërive – operacion ky i cili sipas ekspertëve dukshëm mund të ndikojë mbi procesin zgjedhor. A ka dallime në numrat ndërmjet qytetarëve me të drejtë vote që janë regjistruar në Regjsitrimin e vitit 2002 dhe atyre që gjenden në listën aktuale zgjedhore? Ku janë njerëzit me status të shpërngulur “përgjithmonë”? A bëjnë dallim institucionet ndërmjet atyre dhe atyre që janë të shpërngulur “përkohësisht”? Shumë pyetje, përgjigjet e të cilave, sipas ekspertëve dukshëm ndikojnë mbi pasqyrën objektive për trupin votues në vend.

Regjistrimi i popullatës – kyç për saktësinë e trupit votues!
Maqedonia realizon proces zgjedhor për listë të pastruar zgjedhore, mirëpo pa të dhëna precize dhe të qarta për atë se sa qytetarë, shtetas të vendit jetojnë edhe në shtëpi edhe jashtë vendit. Këtë e thotë demografi dhe njëri nga drejtorët e mëparshëm të Entit për statistikë, Donço Gerasimovski. Sipas tij, problematike janë dy gjëra – e para se institucionet kompetente nuk kanë të dhënë të saktë për atë se sa qytetarë dhe për çfarë arsye punojnë ose jetojnë jashtë vendit dhe sa është numri i popullsisë që jeton në vend.Mosrealizimi i regjistrimit dukshëm mund të ndikojë mbi procesin zgjedhore, thotë demografi Gerasimovski.
“Gjithsesi se regjistrimi është i rëndësishëm për proceset zgjedhore. Sipas direktivave dhe rekomandimeve evropiane ai duhet të zbatohet në çdo dhjetë vjet. Për shembull, Bullgaria fqinje realizon regjistrim të popullatës në çdo pesë vjet. Pa këtë operacion statistikor, që siguron të dhëna precize për numrin e popullsisë, e me këtë edhe për numrin e personave me të drejtë vote, nuk mund të planifikohen aktivitete serioze në një vend. Pas regjistrim të popullsisë nuk mund të dihet gjendja reale për të gjitha ato numra, e kjo gjithsesi ndikon mbi objektivitetin e listës zgjedhore”, sqaron Gerasimovski për “Portalb”-in.

Sipas regjistrimit të fundit të realizuar të popullsisë, amvisërive dhe banesave, në vitin 2002, në Maqedoni jetojnë 2.022.547 banorë.

Sipas Publikimit të Entit shtetëror për statistikë të titulluar si “Vlerësime të popullsisë sipas gjinisë dhe moshën në vitin 2012”, në vend, në raport me popullsinë e përgjithshme të regjistruar gjatë regjistrimit, të rritur ose të moshës mbi 18 vjeçare janë 1.586.064 persona që kanë të drejtë vote, ndërsa të tjerët janë të moshës prej 0 deri në 17 vjet. Nga ana tjetër, sipas listës zgjedhore, në këto zgjedhje të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, të drejtë vote kanë 1.779.572 qytetarë. Sipas të dhënave të KSHZ-së në punë të përkohshme jashtë vendit janë 70.305, të cilët janë të regjistruar në listën zgjedhore. Si sqarohet dallimi prej rreth 200.000 personave, ndërmjet atyre që kanë të drejtë vote (sipas regjistrimit) dhe atyre që janë regjistruar në listën zgjedhore?

“E gjithë kjo tregon se ballafaqohemi me situatë jokonsekuente dhe numra të paqartë. Të mos harrojmë se nga regjistrimi i fundit kemi një trend të shpërnguljes së përhershme nga vendi, që ndikon në zvogëlimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë, e ky numër rrotullohet prej 150.000 deri në 300.000 persona”, thotë Gerasimovski dhe shton:

“Personat që jetojnë mbi 12 muaj në ndonjë vend të huaj nuk përfshihen në regjistrim. Ne nuk kemi numër të saktë se sa njerëz dhe familjet e tyre kanë status të këtillë. Sipas MPB-së ata nuk janë shpërngulur, por përkohëisht kanë shkuar jashtë vendit, e duhet bërë dallim ndërmjet këtyre dy kategorive. Kur themi se dikush jeton më shumë se një vjet jashtë vendit, ai person ka status të të shpërngulurit të përhershëm, ndërsa deri në një vjet personi ka status të “të larguarit të përkohshëm”, që gjithsesi çon në dallime serioze metodologjike. Përcaktimi i saktë i këtij numri është i rëndësishëm edhe për koncipimin e listës zgjedhore, gjegjësisht ka ndikim të fuqishëm në precizitetin dhe objektivitetin e tij”, thotë Gerasimovski.

Sipas analizës së Bankës Botërore, në dhjetë vitet e fundit nga Maqedonia janë larguar 450.000 qytetarë, por institucionet kompetente nuk kanë numë preciz se sa njerëz janë shpërngulur përgjithmonë, e dhënë kjo e cila ndikon në mënyrë plotësuese mbi objektivitetin e gjithë procesit zgjedhor, komentojnë ekspertët. Dymbëdhjetë vjet pas realizimit të regjistrimit të fundit, këto të dhëna kanë ndryshuar në masë të madhe”, thotë Gerasimovski.

“Mbetet e paqartë se sa është i saktë numri i votuesve në listën e pastruar zgjedhore. Kishte një përparim të caktuar në pjesën e fshirjes së personave të vdekur, por mbeten si problem njerëzit që janë jashtë vendit. Ne nuk i evidentojmë ata, nuk ekziston kontroll i mirë dhe i rreptë mbi ta. Regjistrimi do të ndikonte mbi objektivitetin edhe në elektoratin maqedonas edhe atë shqiptar, gjithsesi edhe në nacionalitetet tjera që jetojnë në vend. Pasqyra e plotë e atyre që janë përkohësisht dhe atyre që janë përgjithmonë të shpërngulu mund ta ndryshojë gjendjen e tanishme”, thotë Gerasimovski.

Një pjesë e organizatave joqeveritare alarmuan për disa parregullsi që kanë të bëjnë me votuesit fantomë. Nga organizata “Civil” thonë se përveç të vdekurve, në votime kanë dalë edhe votues fantomë si dhe votues që jetojnë në banesa joekzistuese.
“U identifikuan edhe familje që nuk jetojnë në adresat e shënuara në listë, si dhe anëtarë joekzistues në familje të caktuara. Institucionet reaguan dobët ndaj vërejtjeve”, vlerësoi njeriu i parë i “Civil”-it, Xhabir Deralla. 

Komisioni shtetëror zgjedhor doli me një arsyetim të shkurtër se janë duke u ndërmarrë aktivitete për shqyrtimin e parregullsive të denoncuara. Ndërsa, Ministria për Punë të Brendshme tha se nuk është kompetente ta verifikojë saktësinë e rasteve për të cilat akuzon “Civil”-i.

“Adresa janë shënuar në kohën e LSDM-së, duhet t’u drejtoheni atyre, për shkak se në atë kohë janë dhënë letërnjoftimet me ato adresa. Ne bëmë kontroll për ekzistimin e hyrjes së tretë dhe pamë se disa njerëzve u janë dhënë letrënjoftime në atë adresë që në vitin 1977. MPB-ja nuk ka kompetencë ta kontrollojë saktësinë e të dhënave nga letërnjoftimet e vjetra. Njeriu vjen te ne me letërnjoftimin e vjetër dhe ne ia japim letërnjoftimin e ri, por nuk e verifikojmë rrugën e letërnjoftimit  të vjetër. Kjo bëhet vetëm nëse personi e paraqet ndryshimin e vendbanimit”, tha zëdhënësi i MPB-së, Igor Kotevski. 

Të gjitha këto paqartësi lënë hapësirë për dyshim dhe manipulim, vlerësojnë ekspertët.
“Ne kemi situatë kur banorë të një komune votojnë në komunë tjetër. I tillë është rasti “Pustec”. Formalisht ata njerëz kanë letërnjoftime, gjegjësisht dokumente për identifikim, e me këtë edhe të drejtë vote, por kjo nuk e jep pasqyrën objektive për trupin votues në një komunë. Të gjitha këto dukuri duhet të marrin fund, duhet të pastrohen, ndërsa Komisioni shtetëror zgjedhor nuk duhet vetëm ta pranojë Listën zgjedhore të përgatitur nga MPB-ja dhe institucionet tjera, por duhet në mënyrë aktive të kyçet në përgatitjen e saj”, vlerëson Gerasimovski. 

Zgjidhjen e sheh në realizimin urgjent të regjistrimit të popullatës dhe në evidentimin e plotë të njerëzve që janë jashtë vendit, pa marrë parasysh se a kanë status të të shpërngulurve të përkohshëm ose të përhershëm. 

Aneta Dodevska, Portalb

Exit mobile version