Site icon PORTALB

Jakup Krasniqi: S’është serioze ideja për shpërbërjen e Parlamentit

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka quajtur joserioze idenë se javën e ardhshme do të shpërbëhet Parlamenti derisa ka thënë se s’ka asnjë nismë të tillë. Veç kësaj, Krasniqi ka thënë se ende s’ka vendosur nëse do të votojë pro ose kundër themelimit të Gjykatës Speciale për dënimin e krimeve të luftës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se ende s’ka ardhur asnjë kerkesë zyrtare për shpërberjen e Parlamentit.

Ai i ka quajtur joserioze deklarimet se Parlamenti do të shpërbëhet brenda javës së ardhshme.

“Me të thënë të drejtën nuk e kam shikuar shpërbërjen e Kuvendit dhe nuk e kam marrë shumë serioze”, ka thënë Krasniqi, për Express, të dielën.

“Këto deklarimet s’besoj se kanë ndonjë bazë reale sa i përket shpërbërjes se Kuvendit”, ka shtuar ai.

Një ditë më parë, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se Kuvendi do të shpërbëhet javën e ardhshme pasi të vendos për Gjykatën Speciale dhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Por, Shefi i Parlamentit, Jakup Krasniqi këto deklarata nuk i merr seriozisht duke thënë se më shumë po bëhen për efekt medial.

“Për javën e ardhshme s’ka asnjë kërkesë zyrtare. Do të thotë vetëm është mediatizuar se sa diçka që zyrtarisht është e iniciuar”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket votimit të Gjykatës Speciale, Kransniqi ka thënë se ende s’ka vendosur se a do ta jap apo jo vetëm pro saj.

Sipas tij, do të jetë në dorën e shumicës nëse do të votojnë pro themelimit të Gjykatës e cila do të merret me krimet e luftës.

“Nuk jemi përcaktuar ende. Unë vërejtjet e mia i kam dhënë publikisht dhe në takimet e pakta që kam pasur kohëve të fundit. Megjithatë, është shumica ajo që merr vendime”, ka thënë ai për Express. 

Exit mobile version