Site icon PORTALB

Ahmeti: Kush është Ivanovi ti kërkojë votat e shqiptarëve?

BDI sonte ishte në Tearcë të Tetovës

BDI sonte ishte në Tearcë të Tetovës

BDI sonte në Tearcë të Tetovës zhvilloi tubimin e radhës ku prezantoi platformën e saj dhe kandidatët për deputetë të kësaj zone.Tani është koha të veprohet, tani është koha kur ne duhet të hapërojmë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, tha lideri i BDI-së, Ali ahmeti.

“Ne investojmë në paqe dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Unë nuk pajtohem assesi me disa ‘gjeldeta’ të cilët nuk mësojnë historinë as të së kaluarës, e as të djeshmen, por as të sotmen. E ardhmja e kombit duhet të jetë tek pajtimi, afërsia, në Evropë dhe NATO”, tha Ahmeti.

“Ne dalim me listë, me kandidatë të dëshmuar. Cilindo ta shohësh është më i mirë se tjetri. Abdilaqim Ademi ka kryer detyrën me përgjegjësi, Fatmir Besimi, bashkëvendësi juaj me shumë vigjilencë u ka ndihmuar për çdo gjë. Platforma jonë është e shkruar dhe e argumentuar nga mbi 400 ekspertë të ndryshëm. Unë ju siguroj se asnjëherë nuk do të zhgënjeheni, ajo që kemi shkruar edhe do të materializohet. Partitë tjera le të bëhen shumë më serioze, ato nuk kanë asnjë fletore të vogël as si atë të klasës së parë për ushtrime, dhe kërkojnë besimin e popullit. Bëjeni një fletore për hartim të paktën që ta shohim se çfarë shkrimi keni? E them me keqardhje pasi edhe unë dua të kemi një opozitë të fortë. Si BDI-në nga një forcë ushtarake u bë lëvizje, e bëri transparenca pasi ashtu siç thoshte edhe punonte. Nuk u krijua nga struktura që ndryshe flasin, ndryshe mendojnë dhe ndryshe punojnë. ”, vijoi Ahmeti.

Ai iu referua edhe zgjedhjeve për president që u mbajtën më 13 prill, me ç’rast tha se mospjesëmarrja e shqiptarëve është përkrahje e idesë kombëtare të kandidatit konsensual që parashtroi BDI.

“Pse shqiptarët vetëm për vota do t’i duam ne?! Të votojmë Ivanovin apo Pendarovskin?! Jo, asnjërin e as tjetrin! Po thonë disa se njëri më i mirë se ky tjetri qenka! Ne nuk duhet të votojmë për asnjërin pasi ata nuk janë zgjedhja që ofron zgjidhje të mirë. Nëse votojmë njërin apo tjetrin, ne votojmë kundër vetvetes. Ne duhet të kërkojmë realizim të politikave të shëndosha, politikave që ofrojnë presidentin pasi ai është figurë emblematike. Kush është Ivanovi që të kërkojë votat e shqiptarëve?! Vetëm në televizor e shohim. Edhe ky, si e pat emrin… Pendarovski. Ky tani bënë bilbordet edhe në shqip! Pse nuk e bëri këtë para 10 viteve?”, u shpreh kreu i BDI-së.

Shefi i Shtabit Zgjedhor Qendror të BDI-së, Abdilaqim Ademi tha gjatë fjalës së tij se, shqiptarët vendosin vetë se kush do t’i përfaqësojë ata në qeveri, ndërsa u shpreh se, për shqiptarët nuk vlejnë marrëveshjet e arritura nëpër kafene.

Exit mobile version