Site icon PORTALB

Erdogan, ankesë në gjykatë për shkelje të privatësisë

Rexhep Tajip Erdogan

Rexhep Tajip Erdogan

Kryeministri i Turqisë Tajip Erdogan depozitoi në Gjykatën e Lartë një ankesë gjatë ditës së premte për shkelje të privatësisë pas publikimeve në internet të një bisede që ai kishte kryer me djalin e tij, të cilit Erdogan i kërkonte të fshihte shuma të mëdha parash.

Erdogan e ka cilësuar inçizimin e bisedës dhe publikim e saj në internet si shkelje të të drejtave të familjes së tij. Ai ka kërkuar nga gjykata që biseda të fshihet nga interneti, gjithashtu kërkoi edhe një dëmshpërblim prej 24 mijë dollarësh.

Qeveria e Erdogan bllokoi “Twitterin” dhe “YouTube” muajin e kaluar pasi u përdorën për të publikuar regjistrime audioje që e implikonin Kryeministrin dhe partinë e tij në një skandal të madh korrupsioni që doli në Dhjetorin e kaluar. Atëherë Erdogan i kishte mohuar akuzat për korrupsion, duke thënë se regjistrimet ishin të manipuluara.

Kryeministri i Turqisë ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me mediat sociale gjatë muajve të fundit, sidomos me “Twitter” që e akuzon për evazion fiskal, drejtuesit e të cilit kanë mbajtur një seri bisedimesh me zyrtarë të lartë të Turqisë gjatë javës së fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjet e krijuara. (TCH)

Exit mobile version