Site icon PORTALB

Rama, mirënjohje edhe Berishës për Pavarësinë e Kosovës (Video)

Rama, mirënjohje edhe Berishës

Rama, mirënjohje edhe Berishës

Ditën e sotme në Kukës u kujtua 15-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin krerët e shtetit të dy qeverive shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare, shprehu një mirënjohje të thellë për presidentët e SHBA-ve, për BE-në, dhe NATO-n. Gjithashtu, Rama vlerësoi roli dhe kontributin e ish-kryeministrit Pandeli Majko dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, në pavarësinë e Kosovës.

“E di që po të ishte paraardhësi im këtu do të thoshte harrove Xhorxh W. Bush. Dhe unë, meqenëse jemi këtu në 15–vjetorin e eksodit, por gjithsesi jemi këtu me dy qeveri, me dy shtete, me një realitet tërësisht të transformuar, sigurisht që nuk do ta lë pa e shprehur dhe mirënjohjen, jo vetëm për Presidentin tjetër që ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrugën e pavarësimit të Kosovës, Presidentin Bush, apo në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por, madje, unë këtu dua të shpreh mirënjohjen edhe për Sali Berishën, edhe për Partinë Demokratike në qeveri, si pjesë e përpjekjes së përbashkët shqiptare për pavarësimin e Kosovës dhe për të arritur në këtë ditë ku ne shqiptarët të kemi mundësinë t’i themi vetes, dakord, ne ndahemi thuajse për të gjitha. Madje, në qoftë se e kthejmë në çështje politike, ne mund të ndahemi edhe për sa është ora; a është drekë apo është darkë; është mars apo është prill; edhe çfarë viti është. Por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin “çështja e Kosovës”, por që sot, natyrshëm ka emrin “çështja e shqiptarëve”, transmeton Shekulli.

Kosova ka vlejtur shumë edhe për këtë, si burim i një fryme që ka arritur t’i unifikojë shqiptarët e Shqipërisë, edhe atëherë kur janë dukur krejtësisht të paunifikueshëm. Ka arritur t’i bëjë shqiptarët e Shqipërisë të vetëdijshëm, për faktin sesa më të fortë të jenë shqiptarët, kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi ynë dhe aq më fortë ne mund të mbështesim njëri–tjetrin, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e secilit, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosove, por edhe në Preshevë, Mal të Zi dhe padyshim Maqedoni e kudo qoftë.”

Exit mobile version