Site icon PORTALB

Kosovë, Oliver Ivanoviç do të mbrohet në liri

Oliver Ivanoviç

Liderit të Nismës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, sot i është pezulluar paraburgimi shtëpiak dhe ai mund të mbrohet në liri, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati mbrojtës, Nebojsha Vlajiç konfirmoi për AA se Gjykata Themelore në Mitrovicë me kërkesë të mbrojtjes vendosi që Ivanoviç të mbrohet në liri. “Ky nuk është lirim i plotë, por i është pezulluar paraburgimi shtëpiak dhe ai mund të mbrohet në liri”, tha Vlajiç.

Ai theksoi se mbrojtja është e kënaqur që Gjykata e kuptoi se “Oliver Ivanoviç nuk do të arratiset, as që ka dashur ndonjëherë”.

Në fillim të muajit shkurt Gjykata e Apelit të Kosovës anuloi aktvendimin e shkallës së parë ndaj Ivanoviçit prej 9 vite burg për krime lufte dhe ktheu gjykimin në fillim.

Seanca e parë e gjykimit të përsëritur për Oliver Ivanoviç (64), filloi më 24 mars në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe me këtë rast Ivanoviç u prononcua se nuk është fajtorë për aktakuzat.

Në gjykimin e përsëritur, Ivanoviç është i pandehuri i vetëm dhe gjykohet për përgjegjësi penale për krime lufte kundër banorëve civilë në prill të vitit 1999.

Exit mobile version