Site icon PORTALB

Premtimet e BDI-së për sh.f “Liria” në Tetovë mbetën vetëm fjalë, shkolla mbetet me kushte të këqia

Shkolla Fillore "Liria", Tetovë

Shkolla Fillore "Liria", Tetovë

Edhe pse në Platformën zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014-2018 është premtuar rregullimi i oborrit të Sh.F. “Liria” në Tetovë, deri më tani ky premtim është i parealizuar. Madje, përveç oborrit kjo shkollë ballafaqohet edhe me probleme të tjera, si: çati e stërvjetëruar, tualete asnjëherë të rinovuara, shkruan Vërtetëmatësi, njofton Portalb.mk.

Më poshtë në mënyrë kronologjike do të lexoni si ka shkuar procesi premtimeve dhe mos-realizimit.

Në Platformën zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014-2018 (faqe 286), është premtuar rregullimi i oborrit të Sh.F. “Liria” në Tetovë. Si afat për përfundimin e punimeve është dhënë viti 2018. Deri më tani (27.02.2017) ky premtim është i parealizuar. 

Foto1. Pjesë nga platforma zgjedhore e Bashkimit Demokratik për Integrim, 2014-2018;

Megjithatë, përveç oborrit kjo shkollë ballafaqohet edhe me probleme të tjera, si: çati e stërvjetëruar, tualete asnjëherë të rinovuara etj. Përkundër kësaj, më 10.11.2015 nga Komuna e Tetovës kishin njoftuar se është duke u punuar në këtë drejtim.

“…e kemi lajmëruar Ministrinë e Arsimit me gjendjen në këtë shkollë, ata kanë dërguar ekspertë dhe kanë kryer një ekspertizë në këtë drejtim, ku edhe kanë realizuar një projekt për renovimin e tërësishëm të kësaj shkolle. Me vërshimet në Tetovë, kjo shkollë u dëmtua edhe më shumë, ku me këtë është njoftuar edhe Qeveria, e cila e ka vërtetuar edhe gjendjen faktike në këtë shkollë dhe ka sjellë vendim që kjo shkollë duhet të renovohet…”. (burimi: Telegrafi, 10.11.2015)

Shkolla “Liria” në Tetovë

Asgjë nuk është ndërmarrë as edhe në vitin 2016, përkundrazi gjendja e kësaj shkolle është rënduar edhe më shumë. Me reshjet e shiut, për shkak të çatisë tejet të vjetërsuar, uji kishte depërtuar edhe në katin e dytë, kështu duke rrezikuar nxënësit dhe stafin punues të shkollës. Nga drejtoria kanë theksuar se janë bërë të gjitha kërkesat e nevojshme për rinovim.

Kemi kontaktuar me Ministrinë e Arsimit dhe kemi kërkuar që të vijnë njerëzit kompetent për të konstatuar gjendjen faktike të shkollës tonë dhe të sanohet pullazi i objektit ose të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër. Përgjigjja e tyre ka qenë se para zgjedhjeve nuk mund të bëhet asgjë, sepse tashmë investime nuk lejohen nga ana e Komisionit të Antikorupsionit”. (burimi: TV Koha, 09.11.2016)

Disa ditë më vonë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës premtoi renovimin e çatisë së kësaj shkolle. Është bërë projekti final, ndërsa punimet do të realizohen në disa faza.

“Kemi edhe projektin final për rikostruimi e tërësishëm të këtij objekti shkollorë, që kushton mbi 30 milion denar por kjo do të shkojë nëpër faza, respektivisht faza e parë do të jetë ndërrimi i kulmit të shkollës, ndërsa në periudhën e ardhshme do të bëhet edhe faza e dytë, gjegjësisht rikostrumi i tërësishëm i objektit”. (burimi: Alsat-M, 14.11.2016)

Edhe pse MASH dhe komuna kanë dhënë leje për riparimin e objektit, ende nuk ka ndodhur asgjë konkrete. Rinovimi në këtë shkollë ka filluar pjesërisht. Me disa mjete të ndara nga Komuna e Tetovës, po rinovohen vetëm tualetet për nxënësit, ndërkohë që premtimi nga Ministria e Arsimit se me përmirësimin e kohës do fillojë rinovimi i çatisë ende nuk ka filluar të realizohet (burimi: Alsat-M, 26.02.2o17)

Nxënësit e Sh.F “Liria”, Tetovë vazhdojnë të ndjekin edhe sot (27.03.2017) mësimin në kushte të vështira. Prej kur është premtuar nga MASH që është përpiluar projekt për rinovimin e çatisë, në realitet me mjetet e ndara nga Komuna e Tetovës po rregullohen vetëm tualetet. Gjithashtu, kjo shkollë llogaritet si shkolla më e vjetër në Tetovë. Që nga 1 marsi i vitit 1945 në këtë vend ku ende nuk ishte ndërtuar objekti i shkollës u hap shkolla fillore me emrin “Liria” ku nxënësit mësonin në objekte të vjetra të ngelura nga medreset e kaluara. Prandaj, sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, këtë premtim të sekretarit shtetërore të MASH, Safet Nezirit për rinovimin e objektit të shkollës, deri më tani (18.04.2017) e vlerësojmë si i parealizuar. 

Exit mobile version