Site icon PORTALB

Rama: Bojkoti i opozitës për të penguar reformën në drejtësi

Edi Rama

Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, është zhvilluar përsëri pa prezencën e deputetëve të opozitës, të cilët vazhdojnë bojkotin që kur filloi protesta e opozitës më 18 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë seancës, mbajti një fjalim kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi bojkoti i deputetëve të opozitës nisi kur Kuvendi duhej të vazhdonte me zbatimin, sipas tij, të ligjit themelor për reformën në drejtësi, që njihet si “Vetingu”. Sipas tij, ky bojkot lidhet me pengimin e reformës në drejtësi.

“Çadrës nuk i dha jetë përpjekja për të patur zgjedhje më të mira, por frika nga Vetingu. Bojkoti nisi jo rastësisht, por në javën kur ky Parlament duhej të merrte në shqyrtim dhe të vazhdonte me zbatimin e ligjit themelor për të bërë reformën në drejtësi. Kjo nuk është një përpjekje për garantuar zgjedhje të lira, por kjo është një përpjekje për mos lejuar Partinë Socialiste që të hyjë në zgjedhje. Frika nga drejtësia nuk është një frikë e zakonshme që prodhon reagime zakonshme, frika nga drejtësia është një frikë e jashtëzakonshme që prodhon reagime jashtëzakonshme. Ata që motivohen nga kjo frikë nuk e kanë aspak problem të çojnë vendin në destabilitet”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Ai ka shtuar se “Një epokë e re për drejtësinë, është një epoke e re për politikën, qeverisjen, raportin mes shtetit dhe qytetarit. Populli nuk do ta lejonte cenimin e hapësirës ku partitë konkurrojnë, si në aleancë, por edhe veç, apo kundër njëra-tjetrës.”

Kujtojmë se protesta e opozitës po vazhdon që prej datës 18 shkurt me çadrën e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike.

Ndërsa nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një konferencë për mediat disa ditë më parë deklaroi se “vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të pranuara nga të gjithë, që do të garantojë mos-përfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit.”

Exit mobile version