Site icon PORTALB

OKB thirrje për armëpushim 72 orësh në Siri

OKB

OKB

Jan Egeland, këshilltari i posaçëm i Përfaqësuesit Special të OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura me qëllim të dërgimit të ndihmave humanitare në Siri u bëri thirrje SHBA-ve, Rusisë, Turqisë dhe Iranit që të mundësojnë një armëpushim 72 orësh në ditët në vijim, raporton Anadolu Agency (AA).

Egeland ka mbajtur një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë pas takimit të Grupit të Punës për qasjen e ndihmave humanitare të Grupit ndërkombëtarë mbështetës të Sirisë.

“U bëjmë thirrje SHBA-ve, Rusisë, Turqisë dhe Iranit që në muajin prill dhe maj të mundësojnë dërgimin e ndihmave për 1 milion njerëz që ndodhen në rajonet me qasje të vështirë dhe nën bllokadë në Siri”, deklaroi Egeland.

Ndërsa në lidhje me sulmin me armë kimike në Idlib, Egeland tha se po hetojnë kush qëndron prapa sulmit dhe çfarë armësh janë përdorur.

“Është shumë e neveritshme lufta e Sirisë ku më së shumti humbin jetën fëmijët se sa personat e armatosur. Është shumë e neveritshme lufta ku fëmijët vriten me armë kimike helmuese”, tha ai.

“Bëjmë thirrje që në ditët në vijim të sigurohet një armëpushim 72 orësh në rajonet ku po ndodhin konflikte intensive në Siri”, tha ndër të tjera Egeland.

Shoqëria Civile e Sirisë thirrje OKB-së për të mbrojtur civilët

Shoqëria Civile e Sirisë, ka dënuar qëndrimin e OKB-së ndaj sulmit të regjimit të Asadit me armë kimike në Han Shejhun të Idlibit.

Përmes një deklarate të përbashkët me shkrim, OJF-të e Sirisë, kanë thënë se 70 për qind e atyre që janë ndikuar nga gazi dhe helmuar në sulmin kimik, janë fëmijë.

Duke dënuar qëndrimin e heshtur të faktorit ndërkombëtar, OJF-të e Sirisë përmes deklaratës me shkrim janë shprehur: “I ribëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar dhe OKB-së që të marrë masa dhe të vihet në veprim për dërgimin para drejtësisë së regjimit të Asadit për të gjitha sulmet me armë kimike që ka kryer deri më sot, duke filluar nga ai në Gutën Perëndimore në vitin 2013 deri në atë të para dy ditëve në Han Shejhun.”

Në sulmin e kryer ditë më parë në rajonin Han Shejhun me armë kimike nga regjimi sirian humbën jetën më shumë se 100 persona nga të cilët shumica e tyre gra dhe fëmijë si dhe u prekën nga substancat kimike 500 persona.

 

Exit mobile version