“Deponia e egër” në mbikalimin në hyrje të Tetovës akoma nuk është hequr. Grumbulli i mbeturinave në këtë lokacion mblidhen tashmë disa javë, ndërsa një pjesë e banorëve të lagjes së Tetovës, Dereboj, e kanë rrethuar me gardh “deponinë e egër”, që ndodhet në afërsi të shtëpive të tyre, njofton Portalb.mk.
Qytetarët thonë se problemi me deponinë tashmë është edhe më i madh.
“Tashmë mbeturinat po përhapen dhe afrohen deri te shtëpitë tona, vjen erë e keqe, po afrohet vera dhe katastrofa ekologjike do të jetë edhe më e madhe”, tha një banore e Tetovës.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës, muajin e kaluar thanë se do t’i pastrojnë mbeturinat, të cilat pastaj do të ngarkohen në kontejnerët jashtë qytetit, derisa nuk ndërtohet stacioni ngarkues ku do të riciklohen mbeturinat, por premtimi nuk u realizua.