Site icon PORTALB

“Lëhonë” në vend të gruas (VIDEO)

Për të rritur djalin ka ndërprerë punën dhe paguhet nga sigurimet shoqërore. Por, Ervin Gjoka nga Elbasani, duke bërë këtë ka thyer një tabu; ka zëvendësuar në rolin e nënës bashkëshorten e tij Ilva, e cila vazhdon si mësuese, transmeton Top Channel.

“I jep biberonin për të pirë, e ndërron e të tjera. Për shkak se unë sapo fillova punë dhe nuk e përfitoja dot lejen e lindjes, për bebin kujdeset bashkëshorti”, thotë Ilva Gjoka.

Nuk e fshehin se në fillim e menduan mirë, por vendimi që morën thonë se ishtë në interesin e tyre. Gjithsesi para kameras Ervini e kishte të vështirë. Në vend të tij, rrëfen bashkëshortja.

“Po interesoheshim si mund të gjenim një zgjidhje kur pamë, realisht qeshëm, leje lindjeje për një mashkull në Shqipëri…Është mentalitet i vjetër, por me kalimin e kohës u mësua. Tani është shumë i dhënë pas fëmijës”, thotë ajo.

Ka një numër në rritje të burrave që marrin lejen e përkujdesjes ndaj fëmijëve. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2016 ishin vetëm 117 raste, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë 107 meshkuj që kanë zgjedhur të përfitojnë nga pagesa e sigurimeve shoqërore për të rritur fëmijën.

Ilva dhe Ervini nuk janë të parët dhe jo rastësisht nga Elbasani. Ky qytet është i pari në numrin e baballarëve që kanë bërë këtë zgjedhje. Duket se pas Elbasanit kjo modë po shtohet në Tiranë, por në Kukës betejën e ka fituar mentaliteti.

Asnjë baba kuksian ende nuk ka guxuar të përfitojë nga kjo e drejtë ligjore, që është një praktikë gjerësisht e përdorur në Perëndim.

“Këtë të drejtë e ka çdo baba i cili është i siguruar. Arsyeja më e shpeshtë është kur gruaja ka një pagë më të madhe se burri. Ta zemë gruaja merr 100 mijë lek në muaj dhe burri merr 30 mijë, lek, është më e leverdishme ta marrë burri, që nëna mos të lerë pagën. Ne e kemi vendosur në ligj që kur nena nuk e përfiton, ta përfitojë babai”, thotë Astrid Hado, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Sipas ligjit, babai mund të marrë lejen përkujdesjes ndaj fëmijës vetëm pas 63 ditësh nga lindja e bebes, kohë e cila është e detyruar të qëndrojë nëna. Por, një masë e tillë siguron që edhe gratë që lindin, të mos jenë të privuara që për shkak të natyrës  të ndërpresin apo ngrijnë karrierat e tyre.

Exit mobile version