Site icon PORTALB

Pushteti ekzekutiv në Maqedoni me shkallë më të ulët të transparencës në rajon

Pushteti ekzekutiv në Maqedoni është në vend të fundit në rajon sipas shkallës së transparencës, tregojnë hulumtimet e bëra në kuadër të projektit “Aktion SEE”  që është implementuar nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri  “Metamorfozis”, njofton Portalb.mk.

Sipas Tamara Rasavskës, koordinatore e projektit të “Metamorfozis”, analiza është bërë në bazë të ueb-faqeve të institucioneve, regullativës ligjore, akteve nënligjore dhe pyetësorëve dërguar nëpër institucione.

“Maqedonia qëndron më ulët në rajon sipas transparencës së pushtetit ekzekutiv, gjegjësisht ka 36% hapje sipas indikatorëve, që është e habitshme. Duhet të punohet më shumë në implementimin e detyrimeve të ndërmarra. Ligji për qasje deri te informatat e karakterit publik është i shkëlqyeshëm dhe ndodhet në vend të lartë, por implementimi është i ulët. Institucionet i injorojnë dhe nuk përgjigjen në kërkesat e gazetarëve për informata të karakterit publik”, tha hulumtuesja Dançe Danillovska.

Sipas hulumtimit, Qeveria e Maqedonisë është në vend të fundit në rajon dhe plotëson vetëm 32% të indikatorëve. Ministria më dobët e ranguar, sipas transparencës, është Ministria e Mbrojtjes, ndërsa më lartë radhitet Ministria e Punës dhe Politikë Sociale.

“Në pjesën e furnizimeve publike, ministritë publikojnë vetëm 13% plane vjetore për furnizime publike. Edhe më e habitshme është gjendja me organet tjera ekzekutive, të cilat kanë 25% transparencë, ndërsa bashkëveprimi me qytetarët është më i ulët në rajon, gjegjësisht përfshin 11%”, tha hulumtuesja, Nada Naumovska.

Hulumtimi për pushtetin ekzekutiv është zbatuar në gjashtë vendet të Ballkanit Perëndimor, në periudhë prej në tetor deri në dhjetor të 2016-tës, që të shihet se sa institucionet u përmbahen standardeve të transparencës. Në Maqedoni janë analizuar 112 institucione, ndërsa sot janë prezantuar të dhënat për qeverinë, 15 ministritë dhe për 39 organe ekzekutive. Hulumtimet e tilla do të përsëriten edhe në vitin 2017-të dhe në vitin 2018-të, ku do të dalin rekomandime për institucionet se si ta përmirësojnë hapjen.

Exit mobile version