Nga dita e martë, shtetasit e Gjeorgjisë kanë filluar të udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian (BE) pa pasur nevojë për vizë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i vendit, Giorgi Kvirikashvili, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar, studentë dhe gazetarë, udhëtuan në kryeqytetin grek Athinë për të shijuar udhëtimin e parë pa viza.
Para nisjes nga aeroporti Ndërkombëtar në Tbilisi, Kvirikashvili iu drejtua gazetarëve: “Sot ka filluar zyrtarisht udhëtimi pa viza për shtetasit e Gjeorgjisë. Ky është një sukses i madh, meqë udhëtimi pa viza do tu mundësojë qytetarëve gjeorgjianë të njohin BE-në më mirë”, tha ai.
Kvirikashvili tha se pas Athinës, destinacioni i tij i radhës do të jetë Brukseli. “Integrimi i plotë me BE është qëllimi ynë përfundimtar,” shtoi më tej ai.
Qytetarët e Gjeorgjisë me pasaporta biometrike do të jenë në gjendje të udhëtojnë pa vizë, për biznes, turizëm ose vizita familjare në shtetet e BE-së ku do të mund të qëndrojnë për 90 ditë.
Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk do të përfshihen në marrëveshje sepse nuk janë pjesë e Shengenit.
Megjithatë, vendet të cilat nuk janë pjesë e BE-së, Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra janë të përfshira.