Site icon PORTALB

Osmani: Talat Xhaferi kandidati i vetëm për kryetar të ri të Kuvendit të Maqedonisë

Talat Xhaferi

Talat Xhaferi

“Talat Xhaferi është kandidat i vetëm i BDI-së dhe shumicës së re parlamentare për kryetar të ri të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, konfirmon për Portalb.mk, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Xhaferi ka marrë mbështetjen e shumicës  parlamentare.  Ndërkohë që raportohet se  votimi i Xhaferit për kryetar të Kuvendit të mbahet javën që vjen. Me zgjedhjen e Xhaferit, Kuvendi i Maqedonisë për herë të parë që nga pavarësia e saj, do të ketë një kryetar shqiptar.

Kryetari i ri i Kuvendit duhet ta njoftojë presidentin, Gjorge Ivanov, se është arritur shumicë parlamentare dhe i njëjti duhet t’ia ndajë mandatin për formim të Qeverisë, Zoran Zaevit të LSDM-së në afat prej 10 ditëve.

Përndryshe, dje pas tri ditëve bisedime për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime është arritur pajtim se pozita e kryetarit të jetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe në krye të saj të jetë Ilija Dimovski.

Me këtë hapet mundësia për konstituim të seancës parlamentare gjatë ditës së hënë, kur edhe duhet të zgjedhet folësi i parlamentit.

Sipas dakordimit paraprak nga partitë politike VMRO-DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë në Komision, LSDM pesë, ndërsa BDI dhe BESA do të përfaqësohen me nga një anëtar.

Konfirmimi i propozimit për formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdimin e seancës konstituive kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre pasi nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të shtëpisë ligjdhënëse

Exit mobile version