Site icon PORTALB

Personazhi kryesor i qytetit tonë

Sulejman Mehazi

Sulejman Mehazi

Askush s’ka të drejtë t’i dalë zot Tetovës, përveç personazhit kryesor të këtij qyteti, Lalë Rahim Voka. S’ju lejohet aspak të lëvdohen për të bëmat e tyre, as komandantët e luftës së UÇK-së, më 2001-n, as partitë politike që çdo herë ua marrin votat tetovarëve me çallamet e veturave, veshjeve e shtëpive të bukura të tyre, as pasanikët e paktë të Tetovës nuk guxojnë t’i dalin zot qytetit, as do farë intelektualë të mjerë që mundohen kot ta tregojnë veten, s’kanë të drejtë, as prefektura e Tetovës s’ka të drejtë t’i dalë zot Tetovës, përveç Lalë Rahim Voka, me atë pamjen fizike epike, fjalët e mendimet e çuditshme, me mjekrë e flokë të gjata të thinjura skënderbegiane, me atë shqiponjën e tij 24 orëshe vënë mbi këmishë e shpatulla gjatë stinëve të nxehta, me flamurin dykrerëshe të shqiponjës, mbështjellur mbi tërë trupin e tij të dobët, të vogël e të mplakur, vënë mbi kaputin unik gjatë stinës së dimrit.

Derisa të tjerët shtiren se e duan flamurin e Skënderbeut, po, për përfitimet e tyre materiale, pasurore, ky nuk i takonte këtij grupi mashtrues e korruptues, jo, jo La Rahim jeton pandarë me flamurin e kuq e me shqiponjën korb të zezë 24 orëshe, është person i idealeve të larta kombëtare e humane. Askush në pellgun e Tetovës nuk mund t’ia dalë, sakrificat të shumta kombëtare e kanë bërë madhështor, legjendar; dy herë i burgosur në Shqipëri e në Ish-jugosllavi, në të dy rastet me më shumë se dhjetë vjet burg, gjatë luftës së 2001, vullnetarisht bëhet ushtar i UÇK-së, ku betohet para flamurit me lot e pushkë në dorë duke brohoritur: “Rroftë Shqipëria, Rroftë Flamuri kuqezi! Rroftë Përkrenarja e Bridhisë në kokën e Skënderbeut! Rroftë vendlindja e Skënderbeut, Shpella e Hisarit! Rroftë qyteti i nënës së Skënderbeut, Oeneum! Pas luftës së dështuar të 2001, Lalë Rahimi nga inati i patriotizmit dhe dashurisë së thellë ndaj kombit, flamurit dhe trojeve shqiptare, ai, shpall zonën e tij të lirë mbi qytetin e Tetovës, me një territor disa mijë metërshe që kap Banjën e Tetovës, Hidrocentralin, Teqenë e Shipkovicës, Gurin e Shqipes (Panjovicës), në këtë shkëmb të lartë valon flamuri shqiptar.

Qendra kryesore e Zonës së Lirë Shqiptare e Lalë Rahimit është Shpella e Hisarit. Kjo Shpellë është rezidenca e Lalë Rahimit. Çdo mëngjes e mbrëmje, këtu, ai betohet e lutet para flamuri Kombëtar, duke kërkuar mirësi, urtësi, urata e liri të përbashkët për të gjitha trojet shqiptare. La Rahim nuk është përkulës e nuk kërkon lëmoshë nga askush, ai vetvetiu shpall zonën e lirë shqiptare me kufijtë e vet pa ndihmën e partive politike dhe komandantëve, ai s’kërkon lirinë e shqiptarëve nga maqedonasit, po nga vetvetja, edhe pse është rast e me statut social, por kurrë s’kërkon ndihmë nga asnjë njeri e institucion, La Rahim është legjendë e gjallë shqiptare e shek. XXII.

P.S.

Nuk do ishte e ndershme të mos e njoftojmë opinionin, se Lala Rahim Voka, pas daljes nga burgu ish-jugosllavisë, kah vitet 90-ta, pas prishjes së dy sistemeve shtetërore komuniste, me idetë e veta interesante propozonte që ylli pesëcepëshe komuniste vënë në flamurin tonë kombëtar, duhej hequr, e zëvendësuar me përkrenaren dy brinjëdhishë të Skendërbeut. Më vonë, pa dije apo me dijen e qeverisë së atëhershme demokratike të Republikës së Shqipërisë, u realizua propozimi i tij, me vënien e përkrenares së Skënderbeut në flamurin tonë kombëtar.

Exit mobile version